Një fakt i tillë është pohuar nga organizata “Reporterët pa Kufij”, e cila i ka dënuar kërcënimet kundër gazetarëve investigativë në Kosovë muajin e kaluar. Madje organizata në fjalë, ka përmendur tre raste konkrete në gazetat “Koha Ditore”, “Lajm” dhe “Zëri”, për të cilat thuhet se ka një valë kërcënimesh kundër shtypit. “Është e papranueshme dhe shumë shqetësuese që policia dhe autoritetet e gjyqësisë refuzojnë të veprojnë mbi bazën e ankesave të gazetarëve rreth kërcënimeve. U bëjmë thirrje autoriteteve evropiane që përmes misionit të EULEX-it menjëherë ta adresojnë këtë kulturë të pandëshkueshmërisë”, ka deklaruar organizata “Reporterët pa Kufij”.