Bashkimi Europian ka ndjekur në vazhdimësi zhvillimet e fundit lidhur me tensionimin e marëdhënieve midis Shkupit dhe Prishtinës, pas anulimit të vizitës së presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe lidhur me këtë fakt, zëdhënësja e Solanës ka kërkuar që Shkupi dhe Prishtina të sigurojnë marrëdhënie të mira si fqinjë. “Ne inkurajojmë marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore midis dy vendeve dhe vlerësojmë se Kosova dhe Maqedonia duhet të bëjnë përpjekje maksimale për t’i siguruar këto marrëdhënie të mira”, ka theksuar zëdhënësja Gallak. Qarqe politike në Bruksel nuk kanë komentuar më detajisht debatet dhe shkëmbimet e fundit të deklaratave dhe kritikave në relacionet Prishtinë-Shkup. Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë kërkuar që këto dy vende më shumë të kujdesen për përmbajtjen e marrëdhënieve të tyre se sa për formën e tyre. Lajmi është bërë i ditur nga agjencia e lajmeve INA.