Kthimi i nëntë familjeve të para në një lagje të njohur si Lagjja e Doktorëve në veri të Mitrovicës u bë i mundur pas investimeve të qeverisë dhe pushtetit lokal për rindërtimin e shtëpive të tyre. Ndërsa shqiptarët flasin me optimizëm për kthimin e tyre në pjesën veriore të Mitrovicës, përfaqësues të serbëve kërkojnë që procesi i kthimit të ndalet. Autoritetet qëndore dhe komunale kanë thënë se gjatë këtij viti do të krijohen kushte për kthimin e më shumë banorëve në veri të Mitrovicës. Nënkryetari i Kuvendit Komunal, Ismajl Smakiqi tha se procesi i kthimit të shqiptarëve në pjesën veriore të lumit Ibër po shoqërohet me disa vështirësi, për shkak të situatës së ndjeshme politike. Shqiptarët dhe serbët jetojnë të ndarë në qytetin verior të Kosovës, në Mitrovicë. Në veri të lumit Ibër shumicën e përbëjnë serbët, ndërsa në jug shqiptarët. Pjesa veriore e Mitrovicës vazhdon të jetë jashtë kontrollit të Prishtinës zyrtare. Serbët nuk e njohin pavarësinë dhe rrjedhimisht as institucionet e Kosovës. Ata vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Beogradin.