Kosove – Biden, Kosova eshte ceshtje e paperfunduar

Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden iu ka tërhequr vërejtje zyrtarëve europianë se Kosova është çështje e papërfunduar. “Në Kosovë ka ende punë për t’u bërë, sepse angazhimet nuk kanë përfunduar. Para së gjithash është përgjegjësi e Bashkimit Europian dhe komunitetit Europian që të përmbushë premtimet që i kemi bërë së bashku”, ka deklaruar Biden. Edhe javën e kaluar sekretarja e amerikane e Shtetit, Hilari Clinton, gjatë vizitës së bërë në vendet kryesore europiane, tërhoqi vërejtjen se në Ballkan ka ende punë për t’u bërë dhe se rajoni nuk duhet të bjerë në harresën e së kaluarës. Zëvendëspresidenti amerikan, Joe Biden vizitoi selinë e NATO-s për të diskutuar me aleatët strategjinë e re në Afganistan. Lidhur me këtë ai siguroi se kontributi amerikan në misionin paqeruajtës në Kosovë, në asnjë mënyrë nuk do të reduktohet për shkak të nevojës që të dërgohen trupa shtesë në Afganistan. “Dua ta bëj të qartë se nuk do bëjmë tregti në mes të preokupimeve tona në Kosovë dhe asaj se çfarë duhet bërë në Afganistan”, theksoi Joe Biden.
Advertisement