“Një dekadë pas përfundimit të luftës, rreth 1900 familje nga Kosova dhe Serbia ende nuk dinë për fatin ose vendndodhjen e të afërmve të tyre të zhdukur”, thuhet në raportin që kjo organizatë botoi me rastin e dhjetë vjetorit të përfundimit të luftës në Kosovë. Amnesty International intervistoi të afërm të të zhdukurve të të dy palëve në konflikt në 2009 kur kërkuesit janë rikthyer për të gjetur më shumë dëshmi. Raporti përshkruan histori të padokumentuara, dokumentacione të humbura, indiferencën politike në sistemin e drejtësisë, hetime të dështuara dhe përpjekje të shumta nga agjensi të ndryshme. “Një dekadë pas përfundimit të luftës, rreth 1900 familje nga Kosova dhe Serbia ende nuk dinë për fatin ose vendndodhjen e të afërmve të tyre të zhdukur. Gjatë dhjetë viteve të fundit ka pasur një dështim të vazhdueshëm të autoriteteve në Serbi dhe në Kosovë për t’u marrë me trashëgiminë e krimeve të luftës” citohet të ketë thënë Sian Jones, ekspert për Ballkanin në Amnesty International. Në raport thuhet se më shumë se 3 mijë shqiptarë etnikë ishin viktima të zhdukjeve të dhunshme nga ana e policisë serbe dhe forcave ushtarake e paraushtarake. Rreth 800 serbë, romë dhe pjesëtarë të pakicave të tjera gjithashtu u rrëmbyen, siç thuhet nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shumica pas përfundimit të konfliktit të armatosur në qershor të vitit 1999, nën sytë e forcave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja. Në raportin me titull “Varrosja e së kaluarës – mosndëshkimi për zhdukjet dhe rrëmbimet me forcë në Kosovë”, Amnesty International shpreh besimin se ka pengesa serioze për t’i dhënë fund mosndëshkimit. Në mungesë të një programi të mirëfilltë të mbrojtjes së dëshmitarëve, shumë njerëz mëdyshen të bashkëpunojnë me hetuesit për të ofruar prova që do të çonin në ndjekjet penale. Në Serbi, për shembull hetimet mbi akuzat se në maj të vitit 1999 trupa të shqiptarëve janë djegur në shkritoren e kompleksit të aluminit në Maçkatica, janë braktisur sepse dëshmitarët janë frikësuar nga policia lokale dhe ajo shtetërore. Djegiet thuhet se ishin pjesë e operacionit në shkallë të gjerë gjatë të cilit më shumë se 900 trupa të shqiptarëve etnikë janë transferuar dhe varrosur në varreza masive në Serbi gjatë muajve prill e maj të vitit 1999. Në Kosovë, ka pasur disa raste të ndjekjes së shqiptarëve etnikë përgjegjës për rrëmbimin e serbëve, thuhet në raport. Hetuesit e UNMIK-ut dështuan të zhvillojnë një hetim të shpejtë, të plotë e të paanshëm mbi akuzat e ish kryeprokurores së Gjykatës së Hagës për krime lufte, Karla Del Ponte sipas së cilës rreth 300 serbë ishin rrëmbyer nga pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare në vitin 1999, dhe ishin dërguar në fshatin Burrel në Shqipëri, thuhet në raport. “Edhe në Serbi por edhe në Kosovë ka të tillë që do të preferonin që të zhdukurit dhe të rrëmbyerit të mbeten të varrosur në të kaluarën. Amnesty International beson se Kosova dhe Serbia duhet të adresojnë trashëgiminë e konfliktit të armatosur që mund të ndodhë vetëm me zbulimin e plotë të vendndodhjes së varrezave masive, duke i dhënë fund ndërhyrjes politike në hetimet e menjëhershme, të pavarura, të paanshme dhe efektive të krimeve të luftës”, ka deklaruar eksperti i kësaj organizate Sian Jones. Autoritetet në Kosovë dhe organizatat për të drejtat e njeriut thonë se çështja e të zhdukurve, është politizuar nga qeveria në Beograd, ndërsa zyrtarët e këtij të fundit thonë se është Kosovë ajo që nuk po bënë sa duhet për të zgjidhur këtë çështje. Dhjetë vjet pas përfundimit të luftës, mbetet i paqartë fati i 1907 personave të zhdukur, pjesa më e madhe e të cilëve shqiptarë të Kosovës. Beogradi dhe Prishtina që nga viti 2004 kanë zhvilluar një seri takimesh për këtë çështje, por rezultatet janë ende të pakta.