Duket se Ahtisaar e ka konfirmuar vizitën e tij në Kosovë, pasi mediat kosovare kanë zbardhur dhe një pjesë të axhendës së tij ditore. Sipas agjencive të lajmeve kosovare, Ahtisaar do të mbajë edhe një fjalë rasti në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të përqëndrohet në zbatimin e planit të tij për Kosovën. Ahtisaari, i cili ka ndërmjetësuar bisedimet për statusin e Kosovës si i dërguar i Kombeve të Bashkuara, do të qëndrojë në Prishtinë së bashku me kolegët e tjerë të tij të asaj kohe zëvendësin Albert Rohan dhe emisarin amerikan Frank Wisner. Në njëvjetorin e Kushtetutës është ftuar edhe i dërguari i BE-së në procesin e Treshes, ambasadori gjerman Wolfgang Ischinger. I shoqëruar nga tre diplomatët, Ahtisaari do të marrë pjesë edhe në një mbledhje të Grupit Drejtues Ndërkombëtar (ISG), mekanizëm i ngritur nga Ahtisaari për të kontrolluar zbatimin e detyrimeve që kishte marrë Kosova e pavarur për zbatimin e planit të hartuar prej tij. Të katër diplomatët kanë mbetur emra të rëndësishëm për historinë e Kosovës dhe që prej shpalljes së pavarësisë vazhdimisht kanë dhënë komente për zhvillime për dhe rreth shtetit më të ri si dhe kanë lobuar për njohjen e mëtejshme.