Kosova, 7 vjet pavarësi; krerët e shtetit nderojnë të rënët

Kosova feston 7-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Axhenda zyrtare ka filluar me krerët e shtetit dhe ata politikë që kanë bërë homazhe tek varri i presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

Presidentja Atifete Jahjaga u shpreh se, këto homazhe janë në nder të “ideatorit të pavarësisë”, ndërsa shtoi se sot Kosova ka perspektivë të qartë evropiane.
Ndërsa kryeministri Isa Mustafa e cilësoi Rugovën si njeriun që hodhi themelet e pavarësisë. “Ne vlerësojmë kontributin e tij që ky shtet të jetë demokratik dhe që ne të mburremi me të”, tha Mustafa.
Axhenda ka vijuar me homazhet në nder të komandantit Adem Jashari në Prekaz. Presidentja Jahjaga deklaroi se, vizitoi Prekazin për të bërë nderimet institucionale dhe njerëzore për të gjithë ata që sakrifikuan jetën për pavarësinë. Në të njëjtën linjë u shpreh edhe kryeministri Mustafa, i cili e cilësoi familjen Jashari si “simbol të ekzistencës së Kosovës”.
Nuk munguan homazhet edhe nga lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj. “Urime qytetarëve të Kosovës, urime shqiptarëve, urime liridashësve. Faleminderit atyre që u flijuan për këtë ditë, të cilën e shohim edhe si një mesazh se na presin shumë punë përpara. Siç kemi ditur dikur në kohë të vështira, edhe tani të gjejmë forcën që të ecim përpara”, tha Haradinaj.
Më vonë, në sheshet qëndrore të Prishtinës do të interpretojë Ansambli Shota. Në axhendën festive të qeverisë përfshihet si eveniment edhe ndarja e çmimeve letrare nga Ministria e Kulturës.
Ndërsa siç është traditë, në orën 15 do të mbahet edhe një seancë solemne e Kuvendit. Pas një pritjeje nga presidentja dhe kryeministri, mbrëmja festive zyrtare do të mbyllet me ndezjen e organizuar të fishekzjarreve në qendër të Prishtinës.

Advertisement