Një lajm i tillë është konfirmuar ditën e sotme nga autoritetet e këtij vendi të cilat duket se janë përgatitur për ta vazhduar programin e tyre bërthamor, pavarësisht kundërshtimit nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA citonte zëdhënësin e Ministrisë së Jashtme, i cili deklaroi se Koreja e Veriut do të përdorë për prodhimin e armëve të gjithë sasinë e plutonit të përftuar deri tani në impiantet e saj. Nga ana tjetër, mësohet se Seuli ka vendosur qindra marinarë të tjerë në kufirin detar me Korenë e Veriut, ndërkohë që trupa të tjera u dërguan javën e kaluar në dy ishujt që ndodhen në Detin e Verdhë, përgjatë kufirit detar mes dy Koreve. Sipas agjencisë koreanojugore, Yonhap, më tepër se 600 marinarë janë dërguar në ishujt Yeonpyeong dhe Baekryeong për të forcuar garnizonët e pranishëm në vend. Shtetet e Bashkuara nga ana e tyre kanë deklaruar se nuk habiten për këtë qëndrim kundërshtues të masave të vendosura nga ndërkombëtarët prej Koresë së Veriut.