Sizmiologët në SHBA dhe në Korenë e Jugut thanë se kishin ndjerë një lëkundje në Korenë e Veriut pak para orës 10 të mëngjesit e cila mendohet të jetë shkaktuar nga shpërthimi bërthamor. Zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit thanë se nuk kanë qënë në gjëndje të konfirmojnë menjëherë se fjala është për një provë bërthamore. Një lajm i tillë ka shkaktuar një alarm në mbarë botën diplomatike dhe e para që ka reaguar ka qenë Japonia, e cila tha se do të kërkonte një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ndërkohë që Koreja e Jugut krijoi një ekip krize dhe nisi bisedimet urgjente. Efektet duket se kanë qënë të menjëhershme dhe i pari ka qenë ai i uljes së aksioneve në bursën e Koresë së Jugut, me 4% të vlerës nga frika se testi bërthamor do të përshkallëzojë tensionet rajonale. Ndërsa Britania nga ana e saj, tha se testi shkelte rezolutat e OKB-së, kurse SHBA tha se po konsultohej me aleatët dhe Rusia se po ekzaminonte me kujdes të gjitha informatat. Muajin e kaluar, Koreja e Veriut u tërhoq nga bisedimet gjashtëpalëshe rreth programit të saj bërthamor dhe kërcënoi se do të fillojë punën e ripërpunimit në kompleksin bërthamor të Yongbyon-it të cilin më parë e kishte mbyllur. Ky vendim erdhi si kundërpërgjigje ndaj kritikave të komunitetit ndërkombëtar për lëshimin nga Koreja e Veriut të një rakete në muajin prill, që sipas Phenianit synonte dërgimin e një sateliti në hapësirë.