Në takimin masiv me qytetarët e Bilishtit, Edi Rama, ka prezantuar 7 shtyllat e programit të ri qeverisës. “Do të sjellim në shtëpitë e shqiptarëve ndryshimin e pritur, që nga tryeza e bukës deri tek cilësia e jetesës, Shqipëria nuk mund të zvarritet më por të ecë me ritme të reja, me zhvillim të ri,”- u shpreh Rama, duke nënvizuar se do të jetë Partia Socialiste dhe ekipi i saj i ri që do të punojnë ndryshe me një vullnet të ri dhe më zgjidhje krejt të reja për këtë vend. Nga Bilishti kryetari i opozitës, vuri gishtin mbi oborrin kryeministror, i cili është i vetmi grup njerëzish që jetojnë një “Shqipëri që po ndryshon”. “Sali Berisha ju gënjeu. Ne jemi këtu për t’ju thënë, se ndërkohë që pasi ju gënjeu, Sali Berisha kërkon që të jeni edhe të lumtur, sepse mendon që të gjithë ju, jetoni siç jeton familja e tij, që në fakt është e vetmja familje realisht përfituese në këto 4 vjet qeverisje të Sali Berishës. Ne nuk ju premtojmë, por angazhohemi solemnisht përpara jush, se pas 28 qershorit, naftën do ta keni pa akcizë”, – u shpreh Rama. Duke u ndalur në një nga pikat e programit qeverisës, Rama vlerësoi ekzistencën e dy Shqipërive, një që ka mundësi të mjekohet dhe një tjetër që për shkak të varfërisë nuk merr as shërbimin elementar shëndetësor. “Kjo do të ndryshojë,”- tha Rama, “do të ngremë shërbim shëndetësor universal që do t’i shërbejë të gjithëve pavarësisht kontributeve të paguara ose jo të sigurimeve shëndetësore. Nga ana tjetër, Rama tha se “në këtë garë nuk kemi hyrë për të fituar thjesht dhe vetëm garën elektorale, siç ndodhi me këtë oborr kryeministror që qeveris”. “Kemi hyrë në këtë garë për të ndryshuar vërtetë Shqipërinë,”- vlerësoi lideri i opozitës, duke theksuar në fund se “ne kemi ardhur këtu sot, jo sepse ne duam të fitojmë, por sepse Shqipëria nuk duhet të humbasë”.