Korcë – Rama, ky është manifestimi i politikës së re për ndryshim

“Liria na bashkoi 18 vjet më parë, por politika e vjetër t’i mbajë shqiptarët të ndarë nga bota, nga Evropa nga vendi ku ne meritojmë të jemi dhe meritojmë të jetojmë jo vetëm gjeografikisht po edhe fizikisht”, theksoi Rama. Mitingun e çeljes së fushatës elektorale dhe paraqitjes së 12 kandidatëve për deputetë, Rama e ka quajtur një manifestim të politikës së re për ndryshim. “Sot është dita për tu bashkuar edhe një herë në botën e madhe, në Europën ku do të integrohemi” i është drejtuar kreu socialist qytetarëve korçarë, duke shtuar se “prioritet i programit të Partisë Socialiste është punësimi dhe bashkimi i shqiptarëve duke hequr kufijtë”. Sipas zotit Rama, në vitin 2010 familjet shqipëtare nuk do të jenë më të ndara nga kufij ku kalohet me viza, por do të lëvizin lirisht. “Sot ne nuk premtojmë, po angazhohemi që në 2010 familjet tona nuk do të jenë të ndara nga kufiri ku kalohet me vizë. Familjet do të jenë të bashkuara dhe do të hyjnë dhe do të dalin lirisht”, u shpreh Rama. Pasi ka vlerësuar qytetin e Korçës si djep i qytetarisë dhe kulturës, lideri socialist Rama është ndalur në programin qeverisës të Partisë Socialiste, ku ka vlerësuar si pjesë të rëndësishme të këtij programi, zbutjen e varfërisë, hapjen e vendeve të punës, mbështetjen e bujqësisë si dhe zhvillimin e shëndetsisë dhe të turizmit.

Advertisement