Korçë | PDIU prezanton kandidatin për deputet

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi Konfrencën e Rrethit Devoll, në të cilën u prezantua edhe kandidati për deputet në Qarkun e Korçës, Spartak Meraku. Konferenca u zhvillua në qytetin e Bilishtit me pjesëmarrjen e më shumë se 300 delegatëve. Gjatë fjalës së tij Idrizi deklaroi se rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame që do të kalojë javët në vijim në Kuvend prek edhe të drejtat e shqiptarëve në të gjithë jugun, teksa pronat e tyre në shtetin grek do të kthehen gjithashtu. “Rezoluta për zgjidhjen e çështjes çame është sot një sfidë e rëndësishme për kombin shqiptar, sepse rivendos në vend dinjitetin e kombit tonë, kërkon që ata që humbën jetën në një genocid, së paku të marrin një ndjesë dhe që e drejta e pasardhësve të tyre të mos mohohet. Kjo rezolutë prek edhe devollitët, banorët e kësaj krahine patriotike. Devollitët kanë pasur qindra hektarë prona përtej kufirit, në zonën shqiptare të Kosturit dhe Follorinës e deri në Selanik”, deklaroi Idrizi. Kreu i PDIU-së deklaroi se në zgjedhjet e ardhshme qytetarët shqiptarë do të votojnë forcat politike që kanë ofruar vepra konkrete në të mirë të kombit tonë.

Advertisement