Gjykata e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës së Korcës, që e dënoi në qershor të vitit 2011, me 1 vit burg kreun e OMONIA-s Naum Disho. Dy punëtorët Luan Zaçe dhe Alqi Koroveshi, që vunë në jetë synimin e Disho-s duke punuar për ndërtimin e memorialit për ushtarët grekë u liruan me kusht. Skandali i varreve në Boboshticë doli në pah në tetor të vitit 2010, kur dega e OMONIA-s në Korçë nisi të ndërtojë një memorial në nderim të ushtarëve grekë të vrarë sipas OMONIA-s gjatë Luftës së dytë Botërore në këtë zonë. OMONIA e arsyetoi ndërtimin e memorialit me faktin se dy ushtarët grekë ishin varrosur në fshatin Boboshticë. Banorët e fshatit u ngritën menjëherë pas kësaj nisme, duke denoncuar skandalin që dhunonte varret e të parëve të tyre në këtë fshat. Tashmë kreut të OMONIA-s, Naum Disho-s i mbetet ta apelojë vendimin e Gjykatës së Apelit në Gjykatën e Lartë.