Mësohet se policia ka marrë në mbrojtje familjen e autorit, pasi i druhet një hakmarrjeje të mundshme mes familjeve të përfshira në këtë ngjarje. Besim Karaj ra në duart e policisë tre ditë pasi vrau me kallashnikov tre vëllezërit Mulliri në fshatin Vidohovë të Devollit. Ndërsa kërkohej në drejtim të kufirit Grek, autori i vrasjes kishte udhëtuar në këmbë në drejtim të Thumanës, ku ndodhej familja e tij. Ai është gjetur nga policia në gjendje shumë të rëndë për shkak të lodhjes dhe urisë. Familjarët thonë se Besim Karaj u vetëdorëzua. Karaj u mbajt disa orë në Fushë-Krujë para se të dërgohej në Korcë. Ai ka dhënë aty dëshmitë e para për vrasjen ndaj tre vëllezërve Mulliri, vrasje e cila ndodhi për shkak të xhelozisë. Besim Karaj kishte kapur në flagrancë bashkëshorten e tij me një nga vëllezerit që vrau dhe pas një konflikti që zgjati rreth dy muaj, i ekzekutoi ata.