U mblodh këtë të hënë Komisioni i Posaçëm të Reformës në Drejtësi ku u diskutua për rreth 2 orë lidhur me ligjet shoqëruese që do të shoqërojnë draftin e Reformës në Drejtësi. Burime nga mbledhja bëjnë me dije se sot komisioni diskutoi ligjin për Gjykatën Kushtetuese ndërkohë që 7 ligjet e tjera do të kalojnë për diskutim në ditët në vijim. Në komision ishin të pranishëm edhe ekspertët vendas dhe ata ndërkombëtarë, të cilët prej disa javësh kanë zhvilluar konsultime të gjera me grupet e interesit. Kjo paketë, e emërtuar ndryshe ‘paketa e emergjencës’, parashikon ndërhyrje në 7 ligje, të cilat parashikohet të miratohen bashkë me ndryshimet kushtetuese. Disa prej këtyre ligjeve janë ai për rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve; ligji për organizimin e gjyqësorit dhe prokurorisë; si dhe ligji që përcakton funksionin e prokurorisë së posaçme dhe njësisë së hetimit të zyrtarëve të lartë. Pas miratimit me 14 qershor, vetëm me votat e maxhorancës, të draftit kushtetues, të premten 33 deputetë të shumicës depozituan nismën për ndryshimin e Kushtetutës, duke kërkuar t’i hapet rruga miratimit të projektit në seancë plenare. Në mbledhje mungon opozita e cila edhe mbledhjen e fundit e braktisi e cila me qëndrimet e saj ka dëshmuar se nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për ‘vendet e rezervuara’ në komisionet e kontrollit të gjyqtarëve.