Kodheli e Veliaj apel të rinjve për t’u bërë pjesë e Forcave të Armatosura

Ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe kryetari i Bashkisë së Tiranes,  Erion Veliaj zhvilluan të hënën një takim me 24 administratorët e njësive administrative të kryeqytetit, lidhur me fushatën e aplikimit për ushtarë/detarë aktivë në Forcat e Armatosura.

Qëllimi i takimit ishte sensibilizimi i komunitetit dhe sidomos të rinjve, që të marrin në konsideratë rekrutimin në Forcat e Armatosura.

Advertisement

Ministrja Kodheli i kërkoi administratorëve kontakte më të ngushta me të rinjtë në komunitetin që ata administrojnë, me qëllim që në FA të vijnë më të mirët e mundshëm.

Gjatë takimit u vu theksi tek rëndësia e të qënurit pjesë e Forcave të Armatosura, ku Ministrja Kodheli vuri në dukje, avantazhet e të punësuarve pranë FA.

“Unë ju siguroj që nuk është e thjeshtë të bëhesh pjesë e Forcave të Armatosura, përkundrazi është e vështirë, por jo e pamundur. Ajo çka dua të ndaj sot me ju është mundësia e jashtëzakonshme për këdo që do të jetë pjesë e Forcave të Armatosura. Studentët tanë studjojnë në akademitë më të rëndësishme botërore ushtarake. Mobilizohen dhe marrin specialitete nga më të rrallat, të pazëvendësueshme. Kanë mundësi të rriten në gradë, të trajnohen edhe pasi shkollohen, kanë mundësi të kenë shërbim shëndetësor të një mënyre të veçantë, më të privilegjuar”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se uniforma e Forcave të Armatosura të Shqipërisë, është një uniformë e respektuar në arenën ndërkombëtare, pavarësisht që sipas tij, jemi një vend me potencial të vogël në njerëz dhe financa.

“Dinjiteti nuk është çështje mundësish apo financash. Është çështje sjelljesh dhe integriteti në profesion. Lajmi i mirë është që disa prej administratorëve tanë janë të lidhur me ushtrinë apo kanë qenë pjesë e Forcave të Armatosura.

Më tej, Veliaj shtoi se “ky rekrutim është shumë më ndryshe se fletë-thirrjet që të gjithë mbajmë mend mbi 30 vjeç, ku shërbimi ushtarak ishte i detyruar. Sot flasim për një rekrutim dinjitoz, për një punë të mirëpaguar në Shqipëri. Rekrutimi tani dhe në fund të vjeshtës, (300 rekrutime tani dhe 300 të tjera në vjeshtë), janë një mundësi shumë e mirë për 600 të rinj të Tiranës, për të identifikuar më të mirët. 600 mundësi të mira për punësim, në Forcat e Armatosura. Ky është fillimi i një karriere që të mundëson në shumë fusha të ndryshme”.