E gjallë, ekspresive, shumë e talentuar, shpërthyese, sensuale ishin vetëm disa vlerësime që iu bënë balerinës shqiptare Klaudia Pepa, e cila ishte shumë pranë fitores së një prej talent show-ve më të famshëm në Itali “Amici”, por nuk ka mundur të jetë fituese.
Mbrëmjen e djeshme Klaudia është përballur me tre finalistë të tjerë: Virginia, Stash (The Colors) dhe Briga.
Dy balerinat sfiduan njëra-tjetrën me katër balete, por nga votat e publikut italian, Klaudia nuk ka arritur t’ia dalë mbanë.
Nga konkurrimi për kategorinë “Dance” mes Klaudias dhe Virginia-s, shqiptarja që doli në finale nuk ka mundur të triumfojë.
Juria dhe votat e publikut vendosën që fituese në këtë kategori të ishte Virginia Tomarchio, 18-vjeçarja nga Catania, rivalja e Klaudias në këtë finale.
Por super lajmi për Klaudian vjen nga Maria de Filippi, e cila i ka propozuar balerinës shqiptare të jetë pjesë e trupës profesioniste të “Amici” vitin e ardhshëm.