Në një artikull të revistës britanike “Elle”, Kesha ka folur për problemet që ka pasur me të ngrënët. Në të kaluarën kishte bindjen se për t’i rezistuar industrisë së muzikës duhej të ishte patjetër e dobët. Këngëtarja u fut në një qendër rehabilitimi në muajin janar pasi vuante nga bulimia dhe kujton se dita e parë në klinikë ishte më e tmerrshmja e jetës së saj. “Kisha shumë frikë, por e dija që duhej të kurohesha pasi trupi ishte pothuajse i vdekur. Isha e shqetësuar edhe për atë që do mendonin njerëzit. Unë kisha probleme me të ngrënët, por e dija që njerëzit do të mendonin se isha e droguar apo e alkoolizuar”,- ka thënë ajo. Kesha fajëson industrinë e muzikës që i bën shumë presion këngëtarëve: “Pritshmëritë mbi trupin e njeriut nuk janë aspak reale për botën e spektaklit dhe unë nisa të isha një kritike shumë e egër e trupit tim. Isha fiksuar pas idesë se ndoshta njerëzit kërkonin të më bënin foto gjatë gjithë kohës dhe pastaj do t’i postonin nëpër rrjetet online duke më nxjerrë difektet.”