Kërkohet Vetting-u, Meta ndërpret vizitën në SHBA

Politika shqiptare kërkon me urgjencë miratimin e projektligjit për “vetting”-un, një nga 7 ligjet që përbëjnë paketën e Reformës në Drejtësi. Drafti i ripunuar pas ndryshimeve kushtetuese i është dërguar anëtarëve të Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi, me qëllim që të kalojë në Kuvend sa më shpejt.
Kryetari i këtij komisioni, Fatmir Xhafaj tha se u ka dërguar të gjithë anëtarëve të tij draftin me ndryshimet, së bashku me thirrjen për mbledhjen e komisionit për t’i aprovuar ato. Sipas tij, akush nuk duhet të thotë se nuk ka pasur kohë ta studiojë.
Por ndërkohë, opozita ka bërë të ditur se kërkon më shumë kohë për ta shqyrtuar draftin dhe pas kësaj do të ketë një qëndrim. Ndërkohë kryetari i Kuvendit Ilir Meta ndërpreu vizitën në Shtetet e Bashkuara për t’u rikthyer me urgjencë në Tiranë, për të sqaruar – sipas tij, – konfuzionin e krijuar ditët e fundit, që ka për qëllim prishjen e konsensusit parlamentar që u arrit më 21 korrik.
Zoti Xhafaj, në deklaratën e tij për mediat nuk komentoi mbi këto deklarata të LSI-së, por tha se ajo ka qenë pjesë e konsensusit. Më tej, Xhafa shtoi se ka një presion të vazhdueshëm nga ndërkombëtarët, BE dhe SHBA, për të miratuar sa më shpejt ligjin e “vetting”-ut, i cili është më i rëndësishmi ndër 7 ligjet e paketës, pasi i hap rrugë edhe implementimit të ligjeve të tjera.

Advertisement