Nata e parë e festivalit të Sanremos u zhvillua me ‘tensione’. Këngëtari Blancos prezantoi këngën e tij të re L’isola delle rose, por për shkak të problemeve teknike nuk mundi të këndonte dhe shkatërroi skenën.
Për të shfryrë të gjithë zhgënjimin e tij, duke qenë se në këtë natë të rëndësishme kur të gjithë sytë e publikut ishin te Sanremo dhe ai nuk mund të këndonte, rrëmbeu lulet që ishin vendosur në skenë dhe i hodhi në ajër. Blancos shkatërroi të gjithë dekorin që ishte vënë në skenë për performancën e tij.
Publiku filloi ta shante dhe këngëtari u përpoq të justifikohej. “Unë nuk mund të dëgjoja zërin në kufje, kështu që doja të argëtohesha gjithsesi,” tha Blanco, por ende nuk mund ta qetësonte turmën.
Amadeus tha se kjo nuk kishte ndodhur që nga koha e Bugos dhe Morganit. Më pas u shfaq Gianni Morandi me një fshesë për të hequr lulet e shkatërruara nga skena, me ironi të madhe duke thënë “me gjithë muzikën e bukur që dëgjuam këtë mbrëmje do ta shihni që nesër do të flasim vetëm për këtë”.
Mbrëmjen e kaluar u mbajt nata e parë e edicionit të 73-të të Festivalit të Sanremos. Në total janë 28 këngët konkurruese, ku natën e parë kanë performuar 14 emra “të mëdhenj”.
Për herë të parë ishte i ftuar edhe presidenti i Republikës, Sergio Mattarella, të cilit iu kushtua monologu i Roberto Benignit, për 75-vjetorin e Kushtetutës.
Mattarella vuri një dorë në zemër dhe buzëqeshi i emocionuar kur Roberto Benigni përmendi babanë e tij Bernardo Mattarella. Në skenën e “Ariston” Roberto Benigni nderoi themeluesit e Kushtetutës, mes tyre edhe babain e Mattarellës.