Kënga më e suksesshme e vitit ka tashmë një remiks me Rosalía-n

Një vit pas publikimit, për të festuar ndoshta 1-vjetorin, kënga më e suksesshme e vitit vjen në një remiks në bashkëpunim me një ndër emrat më të përmendur të kohëve të fundit: La Rosalía.

Bëhet fjalë për këngën “Blinding Lights” të The Weeknd, e cila meriton të quhet si më e suksesshmja e këtij viti duke marrë parasysh të gjitha detajet si: numëron më shumë se 355 milionë klikime në YouTube, është kënga më e dëgjuar në Spotify për vitin 2020, qëndron në vendin e nëntë në listën e këngëve më të dëgjuara në gjithë historinë e Spotify, qëndron në vend të parë në Billboard No.1 Record of the Year, theu rekord duke qëndruar më gjatë në Top5 dhe Top10 në historinë 62-vjeçare të Billboard Hot100, është kënga më e vendosur në iHeartRadio në Amerikë dhe është përdorur në shumë reklama, nga Pepsi te Mercedes.

Advertisement

Përpos këtyre, kënga u shkrua nga vetë The Weeknd dhe Max Martin, ky i fundit një nga kompozitorët dhe producentët më të suksesshëm të dekadës së fundit, i njohur për hitet “Baby One More Time (Britney Spears), “I Want It That Way” (Backstreet Boys), “It’s Gonna Be Me” (NSYNC), “I Kissed a Girl” (Katy Perry), “One More Night” (Maroon 5), “Shake it off” dhe “Blank Space” (Taylor Swift) etj.

Videoja e remiksit të “Blinding Lights” përmban momente nga përgatitjet e setit fotografik të The Weeknd dhe Rosalía-s.