Kandidati i opozitës për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi ftoi edhe një herë në një debat publik rivalin e tij socialist, Erion Veliajn.
“Sërish gjej rastin ta ftoj Erion Veliajn në këto 8 ditë që kanë mbetur fushatë, ku je Erion? Vij vërdallë në të gjithë rrugët e Tiranës dhe nuk të gjej! Dal në qytet dhe në fshat, nuk të gjej! Shkoj nëpër studio dhe nuk të gjej, shkoj në studiot ku t`i përkëdhelesh më së shumti, dhe nuk të gjej. Pse fshihesh? Hajde në debat publik! A ke bërë punë për Tiranën? A ke 8 vite që punon për Tiranën? A të duhen qytetarët e Tiranës mor zotëri? Hajde mor flasim në publik, hajde të flasim për bilancin tënd të punës, për premtime e mia që ti pretendon që nuk realizohen dhe mbi të gjitha për një çështje që ti e ke përzemër, për shkollimin tim dhe për shkollimin tënd”.
Në takimet me banorët e Njësisë Nr.2, Belind Këlliçi, renditi pesë prioritetet e programit të tij për Tiranën.
“Padiskutim autobusi pa pagesë falas pas 14 majit, nënkalimi te “Sheshi Skënderbej”, ndërtimi i çerdheve, kopshteve dhe shkollave. Paketa e biznesit të vogël për uljen e taksave dhe tarifave, përgjysmimi i dy tarifave pastrimit dhe gjelbërimit dhe tarifës së hapësirës publike”.
Ndërsa në takimin me banorët e njësisë 5, Këlliçi dha garanci se nuk do të preken pallatet mbi 50-vjeçare.
“…këto pallate, jo vetëm këto, por në të gjithë zonën në të gjithë Tiranën, nuk do të preken dhe prona e qytetarëve nuk do të preket”.
Këlliçi zhvilloi takime edhe me të rinjtë e Laprakës ku tha se programi i tij synon të frenojë shpopullimin e vendit duke u krijuar atyre mundësi dhe kosto më të ulëta të jetesës në Tiranë.