Katy Perry ka folur hapur për herë të parë për ndarjen nga Orlando Bloom, duke treguar se periudha e fundit e marrëdhënies së tyre ishte veçanërisht e vështirë për të, pasi gjithçka ndodhi në mes të turneut të saj botëror.
Në një intervistë për People, këngëtarja 41-vjeçare foli për vitin 2025 dhe sfidat personale që po përjetonte në një kohë kur ishte vazhdimisht në lëvizje me turneun “Lifetimes”.
Turneu nisi në prill të vitit 2025, ndërsa ndarja nga aktori u bë publike disa muaj më vonë. Në atë kohë, Perry ndodhej në Australi për koncertet dhe, siç rrëfeu vetë, largësia nga njerëzit e saj të afërt e bëri situatën edhe më të vështirë.
“Ishte ndoshta koha më e vështirë. Miqtë e mi ishin të gjithë në shtëpi. Unë po qaja dhe ndihesha e distancuar. Por pastaj engjëjt e mi ndërhynë. Ata ishin vërtet aty për mua”, tha Perry.
Pavarësisht dhimbjes personale, këngëtarja vijoi të performonte. “Lifetimes” përfshiu 91 koncerte në pesë kontinente dhe, gjatë një pjese të turneut, Perry u shoqërua edhe nga vajza e saj, Daisy Dove, të cilën e ka nga martesa me Orlando Bloom.
Duke folur për lidhjen nëntëvjeçare me aktorin, Perry tha se nuk do ta konsideronte si kohë të humbur.
“Nuk do të kisha qëndruar për nëntë vjet nëse nuk do të kishte gjëra vërtet të rëndësishme për të mësuar. Çdo marrëdhënie është një mësim, apo jo?”
Por duket se pikërisht gjatë kësaj periudhe të vështirë, këngëtarja gjeti edhe një surprizë të re në jetën e saj. Perry tregoi se gjatë turneut takoi Justin Trudeau, me të cilin është aktualisht në një lidhje.
“Dhe mora dhuratën më të madhe nga ai turne: takova dashurinë e jetës sime”, u shpreh ajo.
Këngëtarja zbuloi gjithashtu se kishte shkruar në telefonin e saj një listë me dhjetë dëshira për jetën dhe ende e ruan atë shënim. E dhjeta ishte thjesht: “Dashuri e vërtetë”.
“Dhe mendoj se aty jemi”, tha Perry, duke lënë të kuptohet se beson se e ka gjetur atë që kërkonte.
Katy Perry dhe Orlando Bloom nisën lidhjen në vitin 2016, u fejuan në vitin 2019 dhe u bënë prindër të Daisy Dove në vitin 2020. Ndarja e tyre u konfirmua në korrik 2025. Sot, dyshja vijon të jetë e lidhur përmes bashkëprindërimit të vajzës së tyre.

