Katar | Marrëveshje për heqjen e vizave me Shqipërinë

alt

Zyra e shtypit e MPJ-së bëi të ditur se në takimin me Emirin e Katarit, u diskutua për bashkëpunimin midis dy vendeve dhe u theksua se marrëdhëniet e shkëlqyera duhet të përkthehen edhe në një bashkëpunim ekonomik e tregtar me interes të ndërsjellë. Emiri i Katarit deklaroi se “ne jemi gati që të vijmë e të investojmë në Shqipëri. Qëllimi ynë nuk është për një investim afatshkurtër, por do të investojmë së shpejti dhe mendojmë për investime afatgjata.” Bashkëbiseduesit nënvizuan se tashmë është vetëm fillimi i një etape të rëndësishme në bashkëpunimin ekonomik, bashkëpunim i cili do të shoqërohet edhe me praninë e biznesit shqiptar në Katar. “Ne, jemi të vendosur dhe të angazhuar për forcimin e marrëdhënieve dhe për konkretizimin në të ardhmen e afërt të investimeve katareze në Shqipëri. Do të vijmë të investojmë dhe synojmë të jemi të pranishëm në Shqipëri për një kohë të gjatë”, theksoi Emiri i Katarit. Ndër fushat e identifikuara për bashkëpunim, u veçuan: energjia, turizmi e kultura, infrastruktura, ndërtimi, shërbimet dhe agrobiznesi.Gjithashtu, në këtë takim u diskutua edhe për lehtësimin e lëvizjes së qytetareve të të dy vendeve, si dhe për vendosjen e një linje direkte midis dy kryeqyteteve, duke krijuar kështu bazën për një shkëmbim kulturor dhe turistik edhe më të madh në të ardhmen. Po ashtu, ministri Haxhinasto, propozoi që së shpejti të organizohet java e kulturës shqiptare në Katar, si një përpjekje për të sjellë dy popujt më afër dhe për njohjen e tyre më të mirë. Gjatë këtij takimi, kryediplomati shqiptar vlerësoi kontributin e Katarit, veçanërisht për njohjen e pavarësisë së Kosovës, duke thekuar se ky është një shërbim që i bëhet gjithë rajonit, sepse forcon paqen, sigurinë dhe ndihmon në zhvillimin dhe prosperitetin e tij. Po ashtu, ai kërkoi që Katari të vazhdojë të mbështesë shtetin e ri të Kosovës edhe në drejtim të njohjeve të reja. Gjatë vizitës zyrtare në Doha, kryediplomati shqiptar, pati një takim edhe me Princin e Kurorës, Sheikh Tamim bin Hamad bin Khalifa Al-Thani, gjatë të cilit u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe u nënvizua rëndësia e realizimit konkret të investimeve katareze në Shqipëri. Në takim,me Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme Sheikh Hamad bin Jassim Al-Thani u vlerësua fakti se marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy vendeve duhet të pasohen nga projekte konkrete të investimeve katareze në Shqipëri, apo të biznesit shqiptar në Katar. Ndër fushat e identifikuara me interes ishin: infrastruktura, energjia, turizmi, agrobiznesi, etj. Bashkëpunimi midis komuniteteve të biznesit do të favorizohej nëpërmjet realizimit të aktiviteteve të tilla si: forumet e biznesit, javët kulturore, panairet, etj. Haxhinasto, vlerësoi edhe rolin dhe kontributin e Shtetit të Katarit në drejtim të paqes, sigurisë dhe zhvillimit, jo vetëm në rajonin e tij, por edhe në shkallë globale, apo edhe në rajonin e Ballkanit. Një ndër temat e diskutuara në këtë takim dhe që gjeti mbështetjen e dyanshme ishte lëvizja pa viza e shtetasve të të dy vendeve. Realizimi i lëvizjes së lirë do të favorizonte së tepërmi edhe realizimin e fluturimeve direkte midis Dohës dhe Tiranës. Në takim me Kryetarin e Parlamentit Mohamed Al-Kholaifi u nënvizua bashkëpunimi shumë i mirë midis parlamenteve të të dy vendeve, si një hapësirë e rëndësishme e marrëdhënieve dypalëshe. Gjithashtu, u diskutua në lidhje me inkurajimin e biznesit privat i Katarit për të investuar në Shqipëri, si dhe për zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në organizmat rajonale e ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Ndërparlamentar. Në takimin me Zv.Kryeministrin Ahmed Abdullah Al-Mahmoud u diskutua mbi plotësimin e bazës ligjore të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe, si një fushë prioritare, u kërkua krijimi i mundësive reciproke për punësim. Tashmë Katari është një ekonomi në zhvillim të vrullshëm ekonomik dhe mbetet në rritje kërkesa për fuqi punëtore, prandaj finalizimi i një marrëveshjeje në fushën e punësimit do të krijonte mundësi për qytetarët e të dy vendeve. Gjatë vizitës në Shtetin e Katarit, Zv.Kryeministri Haxhinasto, nënshkroi edhe Marrëveshjen për Heqjen e Vizave për Mbajtësit e Pasaportave Diplomatike dhe Speciale. Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u vlerësua si hapi i parë drejt heqjes përfundimtare të vizave midis dy vendeve.

Advertisement