Prej 15 shkurtit ka nisur shpërndarja online e kartës së shëndetit. Qytetarët mund të pajisen me kartën në fjalë duke pasur me vete vetëm një dokument, kartën e identitetit.
Pas kryerjes së aplikimit, qytetari hyn në portalin e-albania dhe e printon vetë kartën e shëndetit, pa qenë nevoja të paraqitet nëpër sportele.
Kryeministri Edi Rama ka qenë këtë të enjte në qendrën shëndetësore numër 9 në kryeqytet, ku ka parë nga afër ecurinë e këtij procesi.
“Për të çmontuar të gjithë atë barrë të tmerrshme që kishin dhe vazhdojnë të kenë në zona të ndryshme njerëzit dhe mjekët, duhet paralelisht me ndryshimet strukturore, edhe një reformim rrënjësor i formës së shërbimit dhe kalimin në shërbimin shëndetësor elektronik. Receta elektronike, nga njëra anë, karta e shëndetit e marrë elektronikisht, nga ana tjetër janë dy hapa, jo të gjitha, që sjellin një lehtësi shumë të madhe. Përfundimisht, gjithë ato radhë të tmerrshme, që i përjetuam edhe nëpërmjet televizionit në zona të ndryshme, evitohen plotësisht dhe e gjitha funksionon shpejt, por më e rëndësishme, në mënyrë transparente dhe në mënyrë të tillë që çdo gjë e shkruar mbetet aty”, u shpreh Kryeministri Rama.