Në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale në Bashkinë e Dibrës, kandidati i së majtës Dr.Muharem Rama u ndal në një takim me banorë të njësisë administrative të Kastriotit. “Kemi projekte konkrete për Kastriotin, kemi projekte edhe në Bujqësi. Të krijojmë një qendër grumbullimi frutash, të krijojmë një baxho, të përmirësojmë shërbimin e kanaleve vaditëse e ujërave të zeza dhe do të ndërtojmë një ujësjellës. Do të hapim një qendër për kujdesin ndaj klientit që të mos shkoni të paguani faturat në Peshkopi por ta keni këtu. Jemi në diskutime me Ministrinë e Shëndetësisë për të sjellë edhe një ambulancë që të jenë për të ju ardhur në ndihmë të sëmurëve, e jo të detyroheni ti sillni me furgona e makina çasti”, u shpreh kandidati Rama. Ndërkaq, kordinatori i Partisë Socialiste për Qarkun e Dibrës Damian Gjiknuri u ndal në fjalën e tij për sulmet që opozita po i bën kandidaturës së Ramës. “Po duan të njollosin personalitetin e doktorit që ju të gjithë e njihni. Po thonë ka qenë trafikant droge ndërkohë që populli e njeh shumë mirë. Kjo tregon që ata kanë frike nga kandidatura e Muharemit”, u shpreh Gjiknuri. Më tej, ai tha se populli i Dibrës nuk ka arsye të bëjë eksperiment të gabuar dhe të mos votojë kandidatin e qeverisë. Ne emër të qeverisë, Gjiknuri dha garancinë se premtimet e bëra nga kandidati Rama do të mbahen dhe bëhen realitet për Dibrën.