Kampionati Botëror: Presidenti i FIFA-s kritikon gjithë botën, por jo Shqipërinë!

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, mbajti një fjalim të gjatë rreth një orë ku përmendi ndër të tjera edhe vendin tonë.

Katari është përballur me një sërë kritikash që nga viti 2010, kur u zgjodh nga FIFA për të pritur turneun më të madh të futbollit në botë. Në raporte është dokumentuar se punëtorët emigrantë që ndërtuan stadiumet e Kupës së Botës në Katar shpesh punonin me orë të gjata në kushte të vështira dhe u përballën me diskriminim dhe abuzime të tjera. Katari është kritikuar shpesh edhe për ligjet që kriminalizojnë homoseksualitetin, kufizojnë disa liri për gratë dhe nuk ofrojnë shtetësi për migrantët.

Advertisement

Në fjalën e tij, Infantino kritikoi vendet europiane për standardet e dyfishta. “Sa homoseksualë u ndoqën penalisht në Europë?” tha ai, duke përsëritur komentet e mëparshme se vendet europiane kishin ligje të ngjashme deri në gjeneratat e fundit. “Më falni, ishte një proces. Duket se harrojmë.” Ai kujtoi se në një rajon të Zvicrës, gratë patën të drejtën e votës vetëm në vitet 1990.

Infantino qortoi vendet europiane dhe të Amerikës së Veriut, për faktin që nuk u hapën dyert vajzave afgane që tentuan të largoheshin nga vendi vitin e kaluar. Këtu ai përmendi shembullin e Shqipërisë:

“Falë ndihmës së Katarit, ne ishim në gjendje të shpëtonim më shumë se 160 vajza dhe gra, pjesa më e madhe nga Afganistani. Ne e bëmë këtë pasi na u premtua nga shumë vende në Perëndim përpara se t’i nxirrnim, se ata natyrisht që do t’i mikprisnin ato. 160, jo 1,600 apo 16,000. Unë besoj se na u premtua kjo gjë sepse ata besonin që nuk do të arrinim t’i nxirrnim jashtë vendit. Por sapo i nxorëm jashtë vendit, falë ndihmës së Katarit, i sollëm në Doha dhe ato po qëndronin në një nga komplekset e ndërtuara për Kupën e Botës, të gjithë vendet europiane dhe amerikane dhe të Amerikës së Veriut mbyllën dyert. [Na thanë] ‘jo, na vjen keq’, ‘nuk mundemi’, ‘nuk mundemi’. I vetmi vend që tha ‘Mirë, sillini këtu, sepse ne e dimë se çfarë do të thotë të vuash dhe të ikësh nga vendi yt’ ishte Shqipëria. Miku im Edi Rama tha, ‘Janë të mirëpritura në Shqipëri, ku mund të ndërtojnë një të ardhme’. Kështu që Shqipëria hapi dyer, nga të gjitha vendet, Shqipëria hapi dyert për refugjatet afgane që duhet të iknin sepse luanin futboll në Afganistan.”

Pasi talebanët morën pushtetin në Afganistan, Shqipëria u zotua të strehonte refugjatët që u larguan nga vendi sepse iu rrezikohej jeta. Ata u vendosën në hotele apo resorte turistike. Një grup artistësh afganë pikturuan një murale në kryeqytet për të falënderuar Shqipërinë si vend mikpritës.