“Kam kontratë, nuk mund t’më nxjerrësh nga shtëpia”, detaje nga vrasja e 51-vjeçarit në Shkodër…

Pavarësisht se mundën ta identifikonin fare pak kohë pas ngjarjes, autoritetet policore në Shkodër nuk kanë arritur ende të venë në pranga autorin e dyshuar të vrasjes së Petrit Vuksanit.

Gazetarja Emi Kalaja, në një raportim mëngjesin e kësaj të mërkure për Klan News, tha se aktualisht kërkimet për Lekë Vuksanin vijojnë, megjithatë ende nuk ka të dhëna për vendndodhjen e tij. Po ashtu, nuk përjashtohet as mundësi që ai të vetëdorëzohet.

Advertisement

Mesditën e së martës, Lekë Vuksani qëlloi për vdekje në shtëpinë e tij 51-vjeçarin Petrit Vuksani. Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Tom Kola” të Shkodrës. Shkak, sipas të gjitha informacioneve që ka gazetarja Kalaja, u bë pikërisht fakti se viktima i kërkoi Lekë Vuksanit që të lironte shtëpinë që i kishte lënë me qira gjatë kohës që nuk ndodhej në Shqipëri.

“Mësohet që marrëdhënia mes tyre ishte vetëm pronar-qiramarrës, pavarësisht mbiemrit që është një koincidencë, është konfirmuar kjo edhe nga burime nga familjarë të të dyja palëve. Kjo banesë duket që ka qenë molla e sherrit, fakti që ai (viktima Petrit Vuksani) është kthyer nga Anglia para 1 muaji dhe ka kërkuar që të lirohet banesa. Lekë Vuksani nuk ka rënë dakord duke thënë se kishte një kontratë dhe nuk mund ta nxirrte nga shtëpia. Konfliktet kishin rreth 1 muaj që vijonin. Ngjarja duket të ketë qenë e paramenduar, pasi Lekë Vuksani ka shkuar dhe ka hapur zjarr ndaj 51-vjeçarit në banesë”.

Gazetarja Kalaja shton se autori i dyshuar nuk njihej si person problematik dhe rezulton pa precedentë penalë. Sa i përket viktimës, mësohet se fqinjët e njihnin atë shumë pak, pasi pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar jashtë vendit, në Angli, por edhe në vende të tjera të Europës.