Në kuadër të masave të marra nga Ministria e Shëndetësisë për kujdesin shëndetësor gjatë sezonit turistik, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, inspektoi qendrën e përkohshme të urgjencës mjekësore të ngritur në pikën kufitare të Kakavijës.
“Prezenca e qendrës së urgjencës mjekësore sa më pranë qytetarëve, sidomos në këtë periudhë të pikut të sezonit turistik, por edhe të shumë lëvizjeve që kanë shqiptarët që jetojnë në Greqi, që shfrytëzojnë masivisht këtë pikë të kalimit kufitar, i ndihmon për nevojat që mund të kenë sidomos fëmijët dhe të moshuarit”, u shpreh ministri Beqaj. Më tej, ai shtoi se duke patur parasysh radhët pashmangshmërisht të gjata që krijohen në këtë periudhë, prezenca këtu me mjekë, me infermierë, pajisjet dhe barnat e nevojshme të shërbimit të urgjencës është e domosdoshme”. Beqaj deklaroi se për shkak të fluksit përgjatë gjithë vitit, do të shihet mundësia e kthimit të qendrës së përkohshme të urgjencës mjekësore në Kakavijë, në qendër të përhershme. Beqaj ka qenë edhe në spitalin e qytetit të Sarandës dhe në qendrën shëndetësore në Ksamil. Beqaj ka tentuar të tërheq vëmendjen e opinionit publik mbi atë që cilëson si rritje te cilësisë së shërbimeve shëndetësore si dhe një punë korrekte të stafeve, në shërbim të pushuesve në jug të vendit.