“Janë dëgjuar shprehje ‘poshtë fashizmi’”/ Çfarë shkruhej në dosjen e ish-Sigurimit të Shtetit për Parashqevi Simakun.

Letra e ish-Sigurimit të Shtetit ka zbuluar detaje të reja në lidhje me akuzat që rëndonin mbi Parashqevi Simakun dhe për një grup të rinjsh.

Sipas tyre, gjatë periudhës së regjimit komunist, të rinjtë kanë bërë thirrje “poshtë fashizmi”.

Advertisement

Letra e plotë:

Tiranë, më 21.03.1989

Lënda: Për një ngjarje të ndodhur në qytetin e Studentëve

MATERIALI JU DERGUA SHOKUT RAMIZ

Më datën 20.03.1989, mbas orës 21.30 në qytetin e Studentit është krijuar një zhurmë me të bërtitura të mëdha, e cila ka tërhequr vëmendjen e opinionit.

Rreth orës 21.30 në kohën e mbarimit të emisionit televiziv “Muzika për të gjithë” në godinën nr. 7, tri vajza të Institutit të Lartë të Arteve F.G, V.G dhe E.S kanë kënduar me zë të ulët këngë dashurie. Këto jane shoqëruar edhe nga djem e vajza të godinave të tjera me britma e me fjalë banale. Më të theksuara kanë qenë në godinën e studentëve të Institutit të Lartë të Arteve. Vajzat e Institutit të Lartë të Arteve flisnin të gjitha së bashku “rroftë Instituti”. “Artet janë bota” dhe këto shoqëroheshin me britma jo vetëm nga këto dy godina, por edhe nga të tjerat. Po kështu në godinën nr. 5, disa djem kishin dalë në tarracë, digjnin letra, shami, bërtisnin “Viva Parashqevi, viva”, duke kërkuar ardhjen e Parashqevi Simakut.

Janë dëgjuar shprehje “poshtë fashizmi”, pastaj këndonin “bashkoj shokë me ne në çetë”, “Ejani mblidhuni këtu këtu bashkë me me ne”, etj.

Në godinën nr.3 në katin e katërt ka dalë edhe një student i paidentifikuar lakuriq, të cilit i bëhej dritë me letra që digjeshin nga shokët e tij.

Çështjen e kemi në ndjekje.

Ministri i Punëve të Brendshme

Simon Stefani