Iva Tiço: Gruaja në shoqërinë shqiptare e ndarë në njëqind copa, e prapë më optimiste sesa burrat

Çdo vajzë apo grua që ka pëlqyer e mezi ka pritur shkrimin e radhës në rubrikën “Blogu i një vajze single apo aty rrotull”, të gazetares Iva Tiço, tashmë mundet të ketë më shumë sesa thjesht tregimin e radhës. Është një libër i tërë, siç thotë Iva për dritare.net me pesëdhjetë e një skica e tregime, ku shumicën prej tyre, gazetarja pesë vjet më parë nuk do të guxonte t’i botonte. Kjo, për një arsye të thjeshtë; kushedi se ç’tituj do fluturonin nëpër portale e mediat e ndryshme online. Megjithatë për çdo gjë ka një kohë dhe tani është koha e Ivës të na flasë për librin e saj dhe sidomos për gratë, ato beqare e ato të martuara. Sepse në fund të fundit, gjithçka në këtë botë rreth grave vërtitet apo jo? Në një intervistë pa dorashka fare, nga ato që ke qejf t’i lexosh, Iva thotë atë të vërtetë që e shohim përditë tek gratë shqiptare “Të lodhura, të ndara në njëqind copa dhe prapë më optimiste dhe të forta sesa burrat”.

Iva si ndihesh tani që ke në dorë librin tënd të parë?

Ma thuaj dhe njëherë, që ta besoj! Nuk i kam gjetur ende një vend ku do ta vë në shtëpi, tani që po kujtohem nuk e kam nxjerrë ende nga çanta e shpinës ku e futa dje në mëngjes, kur e mora në hapje të Panairit. Prej andej pastaj ka qenë një kohë e ngjeshur shumë, me takime në stendë, me intervista, me rrjetet sociale. Një shoqe më thotë hera herës që të kujtohem, që ky nuk është një projekt PR-i, nga ata me të cilët merrem normalisht, por është libri im. Shpresoj ta kuptoj në fund të Panairit dhe të mund ta shijoj tamam.

Pse ky titull, e ke bërë thjesht për qejfin tënd, apo ka ndonjë histori që duhet ta dimë? 🙂

Nuk e kisha gjetur deri në një moment të caktuar… Henri Çili, botuesi më thoshte që do të vijë vetë. Dhe ashtu erdhi, erdhi vetë, u bë bashkë fustani i bardhë i kopertinës, që kishte një histori personale për mua, pastaj ishte një seri e telefilmit “Sex and the City”, i cili vijon të më frymëzojë dhe kaq vjet më pas e ku është një fustan i ngjashëm, edhe ideja ime për të bërë një kopertinë si e atij seriale e në fund fare një prej shkrimeve të titulluara “Për vete” që në thelb përmbledh të pesëdhjetë e një skicat e tregimet e botuara në këtë libër: “E rëndësishme është të vijë dita e ta kuptosh që gjithçka e ke bërë për vete. Nuk ke pse ankohesh hiç fare. Sepse dashuria për veten nuk është pako gjë. Përkundrazi, vetëm pasi e kupton se ke rënë dashuri me veten, do mund të duash dhe të tjerët. Dhe të të duan”.

Nga gjithë historitë e shoqeve, vajzave single që ke dëgjuar deri tani. Si është jeta e një femre single pas të 30-ave në Tiranen e vitit 2020, të shekullit XXI?

Eshtë si jeta e grave të martuara, nuk ka asnjë ndryshim. Ishte një pikë, ku unë mendoja që më mungonte një burrë në shtëpi vetëm kur më bllokohej lavamani apo kur doja të lyeja. Shoqet e martura më treguan se janë ato që e gjejnë hidraulikun dhe u vijnë nga pas gjithë ustallarëve, ndërkohë që nxehen edhe më shumë sepse ndryshe nga unë kanë një burrë që nuk i bën këto gjëra… Janë shumë të forta gratë dhe vajzat në Shqipëri, njoh shumë të tilla që janë grua dhe burrë bashkë në shtëpi, edhe kur e kanë një të tillë.

Po e atyre të martuara?

Shumë më thonë që na kanë zili për lirinë. Apo sepse kemi më pak impenjime. Unë u them që u kam zili sigurinë, ose më mirë të them ndarjen e përgjegjësive më dysh… Ndërsa për të tjerat, njëlloj si jeta e vajzave single është dhe jeta e të martuarave. Ose së paku e të martuarave që kam unë mikesha, që nuk kanë nga ato martesat, ku gruaja e martuar vërtitet vetëm nga kuzhina tek banja, në punë dhe me fëmijët. Mikeshat e mia bëjnë pak a shumë të njëjtat gjëra që bëj dhe unë, vetëm se kur mblidhemi në dreka të dielash vijnë edhe burrat e fëmijët.

LEXO DHE :  Ceremonia e betimit/Meta fton tre anëtaret e Kushtetueses, përjashton Vorpsin

Një studim dilte në përfundimin se femrat beqare dhe pa fëmijë ishin më të lumtura. E beson këtë gjë?

Nuk di ta them, nuk u besoj studimeve të tilla. Kur nuk ke fëmijë, ke më pak impenjime sigurisht dhe më shumë kohë për t’ua kushtuar gjërave të tua, pasioneve të tua. Mua personalisht ka shumë gjëra që më bëjnë të lumtur dhe duke jetuar vetëm kam mundësinë që t’i bëj sa të mundem. Një fëmijë, qoftë edhe vetëm për kohën fizike, pa folur dhe përkushtimin e gjithë llojet e merakut, t’i kufizon ndjeshëm ose të bën t’i zhdukësh fare këto lloj lumturish. Por besoj se dhuron tjetër lloj lumturie.

Pse shumë histori i ke mbajtur në kompiuter. Çfarë ke pasur frikë të botosh ndoshta 5 vite më parë?

Sa herë e merrja ndonjë shkrim në dorë, nëpër fjali të ndryshme mendoja sesi mund të nxirrej nga blogu dhe të bëhej tituj për portalet e tjerë, të kthehej në një op/ed pa lidhje dhe të gjykohej nga njerëz që s’e kanë idenë që në botë ka dhe shkrime të tilla. i lexoja dhe e kuptoja që nuk kishte asnjë arsye për t’i botuar… Kurse libri tani u poq si ide, më shumë prej këmbënguljes së të tjerëve. Ndoshta prandaj nuk e besoj ende që kam bërë libër, se ishin të tjerët që e bënë dhe unë thjesht u binda. Por i falënderoj me zemër që më bindën.

 Si e sheh Iva gruan në shoqërinë shqiptare?

Do doja të thosha që e shoh mirë, por me gjithë optimizmin nuk e them dot… E shoh që bën një mijë punë, që kërkon të arsimohet, të punojë, të paguhet mirë, të krijojë familje dhe me raste të dorëzohet e të martohet edhe pa dashuri nga frika se mos i vënë këto etiketat si “beqare” apo “e ngelur” se mos mbetet vetëm apo e shoh të pranojë të qëndrojë në martesa të shkatërruara vetëm sepse s’ka mundësi tjetër. E shoh t’i përkushtohet familjes, por të dalë edhe me shoqet; të rrijë kot në kafe a para televizorit por dhe të pyesë se çfarë libri të lexojë. E shoh të ketë qejf të shkojë tek parukierja dhe të duket e bukur,  por edhe të mos rrijë asnjë ditë pa gatuar ushqim të freskët, të bëjë gjëra për vete ndërkohë që i vjen keq që po heq nga koha kur mund t’u përkushtohej fëmijëve… E shoh të lodhur, të ndarë në njëqind copa dhe e shoh prapë e prapë më optimiste sesa burrat.

Shumë personazhe të njohur të ekranit vijnë me libra në këtë panair. Sipas teje i bëjnë “për vete” apo edhe ana monetare luan një rol. A mund të jetosh mirë duke shkruar libra?

Të gjithë personazhet e njohur që unë njoh dhe janë në Panair besoj se e bëjnë këtë nga pasioni. Të gjithë pahuhen shumë më tepër nga puna që bëjnë çdo ditë, se sa nga libri. Në krahasim me botën libri te ne  kushton shumë më pak, edhe pse kostoja e letrës dhe shtypshkrimit është aty aty, ndërsa tirazhet shumë shumë më të vogla, pra fitimi për libër shumë më i vogël. Ndaj mendoj se të gjithë këta “personazhe” e bëjnë thjesht për vete dhe me kaq pak sa kam kuptuar deri tani, qenka një nga kënaqësitë më të mëdha. Do të ishte bukur të jetoje duke shkruar libra. Do të kisha dashur që dhe unë gjatë kohës që merresha me librin tim të pare, të mos isha duke shkruar ndërkohë dhe nja dy projekte, nga ato me të cilat paguaj faturat dhe shpenzimet e mia. Do isha shumë e lumtur, që të jetoja me këtë punë, por i jam mirënjohëse Zotit, Universit, Kismetit a kujt është përgjegjës për gjërat tona, që edhe këto projektet e tjera me të shkruarën kanë lidhje… Jo të gjithë njerëzit kanë fatin të kenë për punë atë që duan më shumë.

Nga Jonida Hitoveizi

/Dritare.net/