Itali – Tërmet i fuqishëm në rajonin qëndror, kryeministri shpall gjëndjen e emergjencës

Tërmeti me një fuqi 5,8 ballë i shkallës Rihter ka rënë rreth orës 03:30 të mëngjesit të sotëm dhe ka arritur të trondisi edhe ndërtesat në Romë për 20 sekonda duke bërë kështu që qindra njerëz të dalin nëpër rrugë. Forcat e shpëtimit kanë mbërritur në vënd me shpresë për gjetjen e të mbijetuarve. Përvec ndërprerjes së linjave telefonike në rajonin e L’Aquila mungon dhe gazi. Ndërtesa e prefekturës është shëmbur ndërsa një konvikt dhe një kishë kanë pësuar dëme. Qindra ndërtesa të tjera janë rrëzuar si pasojë e lëkundjeve të forta duke lënë kështu mijëra persona të pastrehë. Ndërkohë pritet të rritet dhe bilanci i viktimave. Situata në spitalin e L’Aquila paraqitet dramatike, ku vetëm një sallë operacioni është funksionale dhe vetë ndërtesa e spitalit rrezikon të shëmbet. Mjekët u kanë ardhur në ndihmë të plagosurve që në hyrje të godinës së ndihmës së shpejtë por shihet nevoja e ngritjes së një spitali kamp ndërkohë që ndihmat kanë filluar të mbërrijnë nga zona të ndryshme. Personat që ndodhen në gjëndje më të rëndë transportohen me helikopterë në spitale të tjera. Situata duket kaotike ndërsa vazhdojnë të mbërrijnë të plagosur me ambulanca dhe makina private. Trupat e Mbrojtjes civile tregojnë për një situatë dramatike e cila cilësohet si tragjedia më e rëndë e këtij mijëvjecari. Ndërkohë kryeministri Berlusconi ka firmosur dekretin për shpalljen e gjëndjes së emergjencës në vënd. Lëkundjet e fuqishme ndodhen rreth 5 orë pasi një tërmet me magnitudë 4,6 ballë tronditi rajonin Emilia-Romagna, pranë qytetit të Ravenës. Zyrtarët e sigurisë thanë se tërmeti kishte një thellësi të jashtëzakonshme, prej 28 kilometrash. Kreu i trupave të Mbrojtjes Civile ka njoftuar se priten të tjera lëkundje tërmeti, që do të përkeqësojnë akoma më tepër gjëndjen.

Advertisement