Partitë italiane duket se tashmë po kërkojnë një rrugë dalje nga ngërçi, pasi zgjedhjet nuk i dhanë asnjë partie mazhorancën ndërsa kërcënojnë me paqëndrueshmëri të zgjatur dhe një rikthim të krizës financiare europiane. Sipas rezultateve, rritja dramatike e Lëvizjes 5 Yjet, e Beppe Grillo e ka lënë bllokun e qëndrës së majtë me një mazhorancë në Dhomën e Ulët por pa shifrat e nevojshme për të kontrolluar dhe Senatin. Pier Luigi Bersani, kreu i qëndrës së majtë, ka tashmë detyrën e vështirë të arritjes se marrëveshjes për koalicion me ish-kryeministrin Berlusconi, njeriun që vetë ai e akuzon për shkatërrimin e Italisë, apo të arritjes së marrëveshjes me Grillo-n. Alternativa mbetet zhvillimi i zgjedhjeve të reja të menjëherëshme ose brenda pesë muajve, edhe pse si berlusconi ashtu edhe Bersani janë shprehur se duan ta evitojnë këtë mundësi: “Italia nuk mund të jetë pa qeveri dhe na duhet të reflektojmë,” është shprehur Berlusconi në një intervistë televizive. Nga ana tjetër, Grillo, lëvizja e të cilit fitoi më shumë vota se çdo parti e vetme, tha se beson që qeveria e ardhshme nuk do të zgjasë më shumë se gjashtë muaj. “Nuk do të jenë në gjëndje të qeverisin,” ka thënë ai për gazetarët. Ndër të tjera ai tha se është i gatshëm të punojë me këdo që do të mbështesë politikat e tij, të cilat variojnë nga masat antikorrupsion deri në masat për energjinë e gjelbër, por ka hedhur poshtë mundësinë e hyrjes në një koalicion zyrtar duke thënë se “Nuk është koha për të folur për aleanca.” Zgjedhjet, një refuzim masiv i politikave shtrënguese të aplikuara nga kryeministri Mario Monti me mbështetjen e ndërkombëtarëve si Presidenti i SHBA-ve Barack Obama dhe kancelares gjermane Angela Merkel, shkaktuan reagime edhe në vende të tjera. Ministri gjerman i Financave është shprehur se “kjo është demokracia”, ministri i jashtëm spanjoll është treguar me pesimist duke thënë se “ky është një kërcënim që nuk jep një shenjë të mirë as për Italinë as për Europën.” Parashikimet nga qendra italiane e Studimeve Zgjedhore tregojnë se qëndra e majtë do të ketë 121 vende në Senate përkundrejt 117 të koalicionit të qëndrës së djathtë të Berlusconi-t. Grillo do të zinte 54 vende. Kjo nuk i jep mazhorancën asnjë partie, pasi duhet kontrolli si në Dhomën e Ulët ashtu edhe në Senat për miratimin e qeverisë. Në fjalimin e tij të parë, që prej zgjedhjeve lideri i qendrës së majtë, Pier Luigi Bersani, tha se Italia është në një gjendje dramatike dhe vendi ka ngecur në një ngërç politik. Luhatja e tregjeve financiare dhe euros ishte një nga sinjalet e para, që tregoi se çfarë pasojash mund të ketë situata e krijuar në Itali, edhe për eurozonën e më gjerë. Por, Bersani, koalicioni i të cilit siguroi pjesën më të madhe të vendeve në parlament, nuk identifikoi një partner të preferuar qeverisës. Ai u mjaftua me deklaratën se të gjitha partitë politike duhet të mbajnë përgjegjësi për vendin e tyre. “Jemi të ndërgjegjshëm se kombi ndodhet në një situatë dramatike, e jemi gjithashtu të ndërgjegjshëm për rreziqet që i kanosen Italisë”, u shpreh Pier Luigi Bersani, lider i qendrës së majtë, Itali. Lideri i qendrës së djathtë, Silvio Berlusconi, u shpreh më herët se zgjedhjet e reja duhen shmangur e bëri thirrje për një periudhë reflektimi, që sipas analistëve, nënkupton se ai mund të jetë duke marrë parasysh një aleancë shumë të çuditshme dhe të vështirë me kundërshtarët e qendrës së majtë.