Itali – Fassino mbështet ofertën e PS për hetimin e zgjedhjeve

Në një intervistë deputeti i partisë demokratike italiane Piero Fassino mbështeti ofertën e Partisë Socialiste për hetimin e zgjedhjeve duke theksuar se ajo gëzon mbështetjen e PE, Komisionit dhe të Komisionerit për Zgjerim të BE. Ai i bëri po ashtu thirrje qeverisë shqiptare që ta pranojë këtë ofertë të arsyeshme si mënyrën e vetme për të zgjidhur krizën dhe për t`i hapur rrugë afrimit të vendit me BE. “Prej shumë kohësh Shqipëria është prekur nga konflikte politike që e kanë paralizuar jetën aty dhe në vecanti jeta e institucioneve dhe jeta politike shqiptare vazhdon të preket nga një konflikt i pazgjidhshëm që lidhet me rezultatin e zgjedhjeve. Është bërë një propozim, një propozim mbi një komision hetimor parlamentar që të verifikojë mbarëvajtjen e zgjedhjeve dhe të lejojë që të identifikohen se cfarë reformash duhen prezantuar për të lejuar që zgjedhjet e tjera të jenë transparente dhe të rregullta. Ky komision gëzon konsensusin dhe mbështetjen e Parlamentit Europian, të Këshillit të Europës dhe gjatë këtyre orëve edhe të komisionerit të BE për zgjerim” theksoi Fassino. Gjithashtu Fassino duke e cilësuar ofertën e PS-së si të arsyeshme dhe si e vetmja që mund ta nxjerrë Shqipërinë nga ngërci politik në të cilin gjendet prej shumë kohësh i bëri apel forcave politike e vecanërisht qeverisë që më në fund të pranohet kjo ofertë. “Shqipëria është një vend që përballet me perspektivën e zgjerimit të BE, futjen e saj në komunitetin europian, por të gjitha këto kërkojnë një jetë politike dhe institucionale të qëndrueshme dhe normale. Gjetja e zgjidhjes për konfliktin e këtyre muajve është njëra nga mënyrat për të përshpejtuar ecurinë dhe afrimin e Shqipërisë me Bashkimin Europian” theksoi më tej Fassino. Ai theksoi gjithashtu se Europa vjen me një apel për të gjetur një zgjidhje të arsyeshme për konfliktin dhe veçanërisht një zgjidhje të arsyeshme që të zhbllokojë njëherë e mirë problemin e zgjedhjeve të kontestuara dhe që t`i lejojë jetës politike shqiptare që të mund të jetë normale.

Advertisement