Prokuroria e Tiranës ka kërkuar 6 vite heqje lirie për ish krye-inspektorin vendor urbanistik të Bashkisë së Tiranës Florenc Hoxha i akuzuar për shpërdorim të detyrës. Në pretencën e përpiluar për dosjen e Hoxhës dhe 16 inspektorëve të tjerë, organi i akuzës kërkon në total 34 vite burg. Të pandehurit kanë pranuar gjykimin e shkurtuar dhe në rast dënimi nga gjykata përfitojnë uljen e dënimit me një të tretën.
Prokuroria e Tiranës ka provuar se Hoxha ka shpërdoruar detyrën në 531 raste, ndërsa 16-vartësit e tij gjithësej 622 herë. Përveç dënimit me burg për Hoxhën prokuroria ka kërkuar edhe heqjen e të drejtës për të ushtruar detyra publike për tre vjet, ndërsa për vartësit e tij 1 vit.
Sipas hetuesve këta persona kanë lejuar ndërtimet e paligjshme në të gjitha zonat e kryeqytetit duke patur dijeni. Në dosjen që ka administruar gjykata, bëhet e ditur se këta persona gjatë ushtrimit të detyrës nuk kanë vepruar për të ndaluar ndërtimet në kundërshtim me ligjin, duke i sjellë në këtë mënyrë mjedisit dhe buxhetit të shtetit dëme të konsiderueshme.
Hetimi përfshin kohën nga korriku deri në dhjetor të vitit 2013.