Një derbi spektakolar ishte ai i luajtur mbrëmjen e kësaj të diele në “San Siro” të Milanos, ku kuqezinjtë pritës dhe zikaltrit si vizitorë vinin në kushte aspak të ngjashme.
Të besuarit e Gattusos nuk ditën të shfrytëzonin mbështetjen e tifozerisë kuqezi, që së bashku me ata zikaltër regjistruan një tjetër rekord shikueshmërie në “San Siro”, edhe pse vinin me një moral më të lartë në këtë takim teksa kishin rikuperuar në renditje pikërisht Interin pak javë më parë, në një kohë që diferenca në fillim të këtij viti ishte në rangun dyshifror.
Zikaltrit e Spallettit vinin me një moral aspak të mirë, pasi veç çështjes Icardi që ende nuk po gjen zgjidhje, Interi u eliminua nga Europa League nga gjermanët e Eintrachtit të Frankfurtit në mesjavë. Por, pavarësisht lodhjes, në një derbi gjithçka është e mundur dhe këtë e tregoi më së miri përplasja e sotme.
Ndeshja nisi vrullshëm për zikaltrit, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e tretë me anë të Vecinos, pas një krosimi pa shumë pretendime nga e djathtë, që u mbajt në lojë dhe u asistua me kokë nga Lautaro Martinez për uruguajanin.
Edhe pse sfida u zhbllokua herët, u desh vetëm pjesa e dytë për të shpërthyer në gola. Milani u bë më kërkues e kësisoj u hodh në sulm, por do të ishte sërish Interi që me qendërmbrojtësin De Vrij do të dyfishonte shifrat në minutën e 51-të. Reagimi i kuqezinjve nuk mungoi dhe ata do të shkurtonin distancën 6 minuta më vonë me anë të Bakayokos.
Por, dëshira e madhe për të barazuar rezultatin bëri që Milani të krijonte hapësira mbrapa, ndërsa Interi me një kundërsulm pa shumë bujë arriti të siguronte një 11-metërsh, pas gabimit të Castillejos së futur në pjesën e dytë për të freskuar skuadrën. Arbitri nuk kishte dyshime dhe as nevojën e VAR-it, por akordoi penallti, që u kthye në gol nga argjentinasi Martinez, që duket se po zëvendëson më së miri Icardin në këto javë.
Edhe pse Milani shënoi sërish me Musacchion, asgjë nuk do të ndryshonte sa i përket fitores dhe 3 pikëve, që këtë radhë i shkojnë sërish Interit, me zikaltrit që rikuperojnë vendin e tretë në renditje përkundrejt “kushërinjve” kuqezi.
/Top Channel/