ILDKP, gjoba për 28 nëpunës publikë

ILDKP ka njoftuar se pas verifikimeve për kontrollin e pasurive të nëpunësve publikë, ka evidentuar 28 deklarues që nuk kanë përmbushur detyrimet e tyre për plotësimin e deklaratave. Për këta persona është marrë masa administrative gjobë në vlerën 100.000 lekë.
ILDKP shpjegon se “në përputhje me ligjin nr. 9049, datë 10.4.2003 “Për deklarimin dhe kontrollin e pasurive, të detyrimeve financiare të të zgjedhurve dhe të disa nëpunësve publikë”, i ndryshuar, nga verifikimi paraprak evidentoi 28 deklarues, të cilët nuk kanë përmbushur këtë detyrim ligjor. Për rrjedhojë, ndaj këtyre subjekteve deklarues, shkelës të detyrimit për deklarim pasurie, Inspektori i Përgjithshëm ka aplikuar masën administrative me gjobë në vlerën 100.000 (njëqind mijë) lekë”.
Gjithashtu, ILDKP u bën thirrje subjekteve që nuk kanë kryer në kohë deklarimin e pasurisë për ta përmbushur atë pa vonesë, pasi mosdeklarimi apo refuzimi për të deklaruar interesat private sjell humbje të funksionit publik dhe ndjekje penale, në përputhje me nenin 257/a të Kodit Penal.

Advertisement