I rikthehemi telegramit

Telegram Messenger është një aplikacion që u hodh në treg gushtin e kaluar për iPhone dhe në tetor për Android nga vëllezërit rusë, Nikolai dhe Pavel Durov. Gjatë muajit tetor të vitit të shkuar, aplikacioni i ri numëronte 100 mijë përdorues të përditshëm, por gjërat kanë ndryshuar. Sipas një postimi në Twitter të vëllezërve Durov ditët e fundit numri i përdoruesve është rritur me 4 milion, ndaj po bëjnë të pamundurën që shërbimi të mos bllokohet për shkak të trafikut të lartë. Gjithçka nisi javën e shkuar kur WhatsApp u ble nga Facebook, gjë që shkaktoi reagim tek përdoruesit të cilët nisën të kërkonin menjëherë të tjera aplikacione që ofrojnë të njëjtin shërbim.

Kjo rritje kaq e madhe e përdoruesve të Telegram-it erdhi edhe për shkak të black-out-it që pësoi të shtunën në mbrëmje për rreth pesë orë WhatsApp, një prej shërbimeve të mesazheve më të njohur në botë. Telegram është i thjeshtë për t’u përdorur njësoj si WhatsApp, futet numri i telefonit, konfirmohet me kodin që vjen nëpërmjet telefonit dhe është gati për t’u përdorur. Prezanton një grafikë lineare, pa publicitet dhe në ndryshim nga WhatsApp është totalisht falas. Krijuesit e Telegram nënvizojnë se privatësia dhe siguria e këtij aplikacioni është e sigurt. Një ndër karakteristikat e tij është fakti se pas një periudhe të caktuar bisedat fshihen automatikisht. Vetëm në pak ditë, Telegram është bërë shumë popullor në Europë.

Pasi lexuat këtë lajm do shkoni t’a shkarkoni edhe ju në telefonat tuaj?

Telegram-Android