Hungari | Kryeministri Berisha takon homologun Orban, rikonfirmohen marrëdhëniet e mira mes vendeve

alt

Pas takimit, Kryeministri Berisha shprehu falenderimin për ftesën e homologut hungarez si dhe për të gjithë mbështetjen e çmuar që i ka dhënë dhe i jep Shqipërisë Hungaria në projektet e saj të rëndësishme të zhvillimit të vendit dhe integrimit në NATO dhe tani, integrimit në Bashkimin Evropian. “Marrëdhëniet mes dy kombeve dhe vendeve tona janë marrëdhënie të hershme dhe do t’i quaja cilësore. Janë marrëdhënie përpjekjesh të përbashkëta në kohëra të shkuara për liri dhe dinjitet dhe mbrojtjen e vlerave të qytetërimit të sotëm perëndimor. Por kjo vizitë e imja koincidon me 90 vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve tona dhe 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë”, tha Berisha. Duke folur mbi rolin që ka pasur Hungaria në arritjen e Pavarësisë së Shqipërisë, Kryeministri Berisha theksoi se “sot, pas 100 viteve, shqiptarët janë të lirë. Në ditët e sotme, shqiptarët kanë pasur te Hungaria një mbështetje të fuqishme për anëtarësimin e tyre në NATO, ndërkohë që kanë një mbështetje të vendosur në projektin e Shqipërisë për integrimin e plotë në BE”. Duke folur mbi takimin me kryeministrin hungarez Berisha u shpreh se “diskutuam gjerësisht për intensifikimin e marrëdhënieve tona në të gjitha fushat, në mënyrë të veçantë në fushën ekonomike, ku ka një hapësirë shumë më të madhe bashkëpunimi. Shqipëria bëhet çdo ditë e më shumë një vend me interes të veçantë nga investitorët dhe ka një klimë miqësore ndaj biznesit. Në fushën e energjisë ne jemi vend i pasur në ujëra dhe kompani nga e gjithë bota po ndërtojnë hidrocentrale në Shqipëri. Shqipëria po ndërton një infrastrukturë tërësisht të re rrugore, ku kompani nga e gjithë bota po marrin pjesë në tenderë në ndërtimin e kësaj infrastrukture. Kompanitë hungareze janë të mirëpritura në këto drejtime”. Për qeverinë time, vijoi Kryeministri Berisha, “arsimi ka një rëndësi parësore, ndaj ne duhet të përfitojmë nga standardet e arsimit në Hungari. Kryeministri më premtoi se do të rriten bursat për shqiptarët dhe ky është një lajm shumë i gëzuar. Ne e kemi studiuar dhe do të bëjmë çdo gjë që të vendosim modelin hungarez të financimit të arsimit të lartë, si një mekanizëm që ndikon realisht në rritjen e cilësisë. Ne duhet të bashkëpunojmë ngushtësisht në fushën e bujqësisë dhe në të gjitha fushat e tjera”. “Dua ta siguroj se kombi hungarez ishte një burim i madh frymëzimi për të gjitha kombet e shtypura nga diktatura komuniste, përfshi shqiptarët që përjetonin një diktaturë të vërtetë. Drita e revolucionit hungarez dhe më pas, nga fundi i viteve 80, ndryshimet demokratike të këtij vendi, mënyra e zhvillimit të tyre, ishin udhërrëfyeset dhe frymëzuese edhe për ne në Shqipëri”, tha Kryeministri Berisha. Ndërsa Kryeministri hungarez, Viktor Orban, u shpreh se “Kryeministri Berisha ka një rol shumë të madh dhe shumë pozitiv që nga fillimi i historisë moderne shqiptare dhe historia moderne shqiptare, pa zotin Berisha, as nuk do të mund të imagjinohej. Është një nder i madh që kemi sot këtu një luftëtar të demokracisë”. Sipas Kryeministrit hungarez, “Kryeministri Berisha ka punuar vite të tëra pikërisht për të ndërtuar këtë demokraci kaq të mirë dhe mendoj se Shqipëria, pas diktaturës, ka arritur të ndërtojë një demokraci me standarde evropiane. Po të shikosh demokracinë në Shqipëri, ajo nuk le asgjë për të dëshiruar. Mendoj se në të ardhmen Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”. “Në vitet e ardhshme, potenciali më i madh për rritjen ekonomike në Evropë do të jetë pikërisht nga rajoni i Ballkanit. Kështu që, mendimi im është që; në qoftë se Evropa në të ardhmen do të ecë para, kjo do të ndodhë vetëm sepse ajo do të ketë partnerë potencialë nga ana e vendeve të Ballkanit. Pyetja është se cili do të ishte hapi i parë që duhet të bënim për të rritur ekonominë në Evropë?. Për mendimin tim, hapi i parë do të ishte që shtetet e Ballkanit Perëndimor të hynin në Bashkimin Evropian”, tha z. Orban, duke shtuar se “jo vetëm ne, por edhe Evropa, e ka të rëndësishme që Shqipëria të bëhet pjesë e Komunitetit Evropian”. Kryeministri Orban shprehu dëshirën “që kjo gjë të ndodhë sa më shpejt, pra që Shqipëria të hyjë në BE. Kjo do të ishte një gjë e mirë jo vetëm për Evropën, por edhe për shqiptarët kudo që ata të ndodhen, qoftë brenda kufijve të Shqipërisë, qoftë jashtë tyre”. Përsa i përket lidhjeve ekonomike mes dy vendeve, Kryeministri Orban tha se “duhet të fokusohemi vetëm në ekonominë. Është vërtetë e trishtueshme nëse shohim se nuk i kemi shfrytëzuar mundësitë ekonomike që u jepen të dy vendeve tona”. Ndërsa në lidhje me pyetjen që opozita shqiptare pranoi pas dy vjet bllokimi të proceseve integruese, atë çfarë ishte ofruar për 2 vjet nga maxhoranca, Kryeministri Orban iu përgjigj se “unë jam një nga ata që kam menduar dhe mendoj, se gjithmonë, gjithë ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri, kanë qenë pozitive. Unë mendoj se demokracia që ka arritur Shqipëria deri më sot, në të ardhmen do të jetë gjithmonë edhe më e mirë”. “Probleme të politikës së brendshme ka në çdo vend, por kjo nuk do të thotë se demokracia nuk është e mirë në një shtet. Sa më shumë debate të brendshme të ketë në politikën e brendshme, mendoj se një gjë e tillë e forcon akoma më tepër demokracinë. Unë kam frikë më tepër nga ato vende që thonë se janë demokrate dhe nuk kanë asnjë problem dhe nuk tregojnë asnjë problem jashtë. Mendoj se demokracia më e madhe është në ato vende ku ka debat midis partive politike. Po të shikojmë demokracinë shqiptare, unë mendoj se nuk ka asnjë gjë të prapambetur në krahasim me demokracitë e tjera në Evropë, por është e njëjtë me ato”, tha Kryeministri Orban. Ai shprehu mendimin se “Komiteti Evropian nuk duhet të rrijë larg Shqipërisë dhe nuk duhet të kritikojë Shqipërinë, aq më tepër për demokracinë, sepse z. Kryeministër ka punuar vite të tëra pikërisht për të ndërtuar këtë demokraci kaq të mirë dhe mendoj se Shqipëria pas diktaturës, duke pasur parasysh se ka kaluar dhe një nga diktaturat më të rënda nga të gjitha vendet e tjera, ka arritur të ndërtojë një demokraci me standarde evropiane. Në qoftë se ka ndonjë shtet apo person që të vihet kundër Shqipërisë, sepse ka probleme të brendshme, pra në politikën e brendshme, unë mendoj që kjo bën keq, sepse çështjet e politikës së brendshme i takojnë vetëm një shteti dhe po të shikosh demokracinë në Shqipëri, ajo nuk le asgjë për të dëshiruar. Unë mendoj se në të ardhmen Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Evropian”. Ndërsa Kryeministri Berisha, pyetjes nëse do të vazhdojë reformat duke progresuar më tej, iu përgjigj se “reformat janë dhe mbeten “perpetum mobile” e kësaj kohe për qeverinë time. Unë kam lexuar reformat e shkëlqyera dhe shumë të guximshme të Kryeministrit Orban. Është jetike që të garantojmë rritjen ekonomike. Garantimi i rritjes do të jetë faktor kryesor në përcaktimin e ndërtimit të së ardhmes. Kështu që ne, vetë jemi të vendosur të vazhdojmë reformat. Ne jemi ndikuar nga kriza dhe nuk është se nuk kemi pasur ndikime, por nuk kemi rënë në recension dhe tani po punojmë për një paketë të re reformash, në mënyrë që të përshtatim ekonominë shqiptare në rrethanat e reja të krijuara nga globalizmi, në një botë post perëndimore”.

Advertisement