Homazhet për efektivin Simon Gjeta në orën 11:00 tek Akademia e Sigurisë

Homazhet për të ndjerin, Simon Gjeta, Kreu i Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, do të mbahen sot në orën 11:00, tek Akademia e Sigurisë në Sauk.

Sipas burimeve nga Policia e Shtetit, mësohet se homazhet për kreun e FNSH, që ra në detyrë mbrëmjen e të shtunës, gjatë operacionit policor për kapjen e Ruzhdi Arishta, që më pas u vra nga forcat e policisë gjatë tentativës për të arrestuar këtë person.

Advertisement

Gjatë ditës së sotme, Gjeta pritet të shpallet dhe Dëshmor i Atdheut. Ai do të prehet në krah të dëshmorit, punonjësit të forcave RENEA, Basha, që ra gjatë muajit qershor në Lazarat.

Autori i vrasjes së Simon Gjetës, komandantit të reparti të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, u vra gjatë mëngjesit të së dielës nga policia, e cila kishte rrethuar prej mesnatës banesën e tij. Ruzhdi Arishta, i cili qëlloi me 3 plumba oficerin e policisë nuk iu përgjigj thirrjeve të policisë për t’u dorëzuar, ndërkohë që aksioni zgjati rreth 12 orë.

Trupi i pajetë i nënkomisarit Simon Gjeta mbërriti pranë familjes në Tiranë i shoqëruar nga policia. Ishte vetë kreu i Policisë së Shtetit Haki Çako që i dorëzoi me përulje familjarëve të afërmin e tyre për t’i dhënë lamtumirën e fundit, edhe pse do të donin që Simoni të vinte gjallë nga triumfi i tij i radhës në detyrë. Kryepolici Çako udhëhoqi operacionin ku u vra dhe personi që i mori jetën efektivit Gjeta.