Presidenti francez, François Hollande theksoi sot se konferenca e Abu Dabit për mbrojtjen e trashëgimisë në rrezik ishte një takim që do të shënojë historinë në luftën kundër fanatizmit.

“Është hera e parë që vendet, por gjithashtu organizatat, ekspertët, donatorët të mblidhen për të mbrojtur të mirat e përbashkëta të njerëzimit dhe për të dhënë mjetet e domosdoshme për t’i mbrojtur”, theksoi Hollande.

Advertisement

Ai u shpreh në mbyllje të konferencës dy ditore, organizuar nga Franca dhe Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) nën drejtimin e UNESCO-s.

Duke dënuar shkatërrimin e monumenteve historike nga grupet xhihadiste në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, Hollande deklaroi se terroristët në emër të një feje që e tradhëtojnë, kërkojnë t’i shkatërrojnë të gjitha, qëniet njerëzore, ato që iu rezistojnë atyre, minoritetet fetare, por gjithashtu çdo gjurmë të njerëzimit.

Për t’i bërë ballë kësaj, pjesëmarrësit në konferencë janë angazhuar për të krijuar një fond financiar dhe një rrjet strehimor për të vendosur pasuritë kulturore në rrezik.

“Objektivi ynë është të mbledhim të paktën 100 milionë dollarë dhe ne mund të arrijmë”, nënvizoi Hollande duke konfirmuar se Franca do të kontribuonte me vlerën e 30 milionë dollarëve.

“Falenderoj të gjitha vendet, që sot, kanë njoftuar mbështetjen e tyre”, shtoi ai.

Duke marrë menjëherë fjalën, princi trashëgimtar i Abu Dabit, sheiku, Mohammed ben Zayed Al-Nahyane theksoi se trashëgimia kulturore ishte më shumë se kurrë e kërcënuar nga luftërat dhe grupet ekstremiste dhe terroristë që kërkojnë të shkatërrojnë kujtimin e popujve.

“Përgjegjësia jonë e përbashkët është të mbrojmë këtë trashëgimi për gjeneratat e ardhshme”, shtoi ai duke u kërkuar të gjitha vendeve të botës të rwagojnë kundër trafikut të antikiteteve veçanërisht atyre që vijnë nga vendet arabe, viktima të dhunës dhe terrorizmit.

Drejtoresha e përgjithshme e UNESCO-s, Irina Bokova përshëndeti mobilizimin historik duke parë aty një vullnet politik të paparë.

“Ky është një akt besimi (…) për të jetuar së bashku”, nënvizoi ajo duke shtuar se kultura është shpirti i popujve.