Nusja që hakmerret, 15 vjet më parë mblodhi publikun në të gjithë botën për të parë se si do ta zgjidhte çështjen në “Kill Bill 2”, filmi që konfirmoi talentin e Quentin Tarantinos për të krijuar ngjarje të dhunshme, por me stil.
Megjithatë ndër vite është fshehur një detaj tepër i rëndësishëm, që ftohu marrëdhëniet mes regjisorit Tarantino dhe protagonistes kryesore të filmit, Uma Thurman.
Gjatë xhirimeve të “Kill Bill 2”, makina që drejtonte aktorja humbi kontrollin dhe u përplas me një pemë, incident për të cilin Thurman fajësoi regjisorin, duke e cilësuar ngjarjen të qëllimshme.
Tarantino bëri një “mea culpa”, duke pranuar përgjegjësinë. Gjatë një interviste për “Deadline”, regjisori tha: “Është një ndër pengjet e jetës sime, një ndër gabimet më të tmerrshme që kam bërë”.
Tarantino tregoi se para se të xhironin atë skenë e kishte drejtuar vetë ai makinën, për ta testuar në rrugë dhe për të parë nëse gjithçka ishte në rregull.
Regjisori shpjegoi se e vetmja gjë që ndryshoi nga skena ishte drejtimi i rrugës, pasi xhiruan në një anë tjetër, duke qenë se ishte drita më e mirë për kamerën. Dhe sipas tij, aksidenti ndodhi sepse rruga e zgjedhur për xhirime, nuk ishte aq e drejtë, si ajo që kishte përshkuar ai.