“Hapja e dosjeve”, Kuvendi miraton me 84 vota pr/ligjin

Kuvendi miratoi të enjten me 84 vota pro dhe 22 vota kundër projektligjin “për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit”,  që i garanton të drejtën çdo individi për t’ u njohur me informacionet dhe dokumentacionin e ish-Sigurimit të  Shtetit.
Kuvendi gjithashtu rrëzoi me 27 pro, 75 vota kundër dhe 2 abstenime nismën ligjore të propozuar nga shoqëria civile, me mbështetjen e dy deputetëve të opozitës, Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi.
Pr/ligji i qeverisë parashikon që procesi të bëhet nga Autoriteti i Informimit Publik, një strukturë me pesë anëtarë, që do të jetë në varësi të Kuvendit.
Pr/ligji merr parasysh vendimet e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje dhe është në respekt të plotë të parimeve të Komisionit të Venecias.
Një muaj pas hyrjes në fuqi të tij do të kryhet përzgjedhja e anëtarëve të Autoritetit.
Projektligji ka në themel garantimin e të drejtës së çdo individi për t’u njohur me informacionet dhe dokumentacionin eventual që ish-Sigurimi i Shtetit mund të ketë grumbulluar gjatë periudhës kohore ndaj personave të caktuar.
Referencë e tij është eksperienca gjermane si një nga modelet më mira, që mund të garantonin një proces transparent dhe në respekt të parimeve kushtetuese dhe standarteve evropiane në këtë fushë.
Projektligji përqendrohet në të drejtën për informim për dosjet e ish-Sigurimit dhe parashikon një mekanizëm lustracioni minimal dhe jo të detyrueshëm.
Lustracioni kufizohet vetëm te funksionet për të cilat ka arsye të mjaftueshme për të besuar se subjekti mund të paraqesë rrezik real për të drejtat e njeriut dhe demokracinë.
Përjashtimi nga kandidimi për një funksion të caktuar duke u bazuar mbi lustracionin nuk duhet të zgjasë më shumë se pesë vjet, pasi nuk duhet të nënvlerësohet kapaciteti për ndryshime pozitive në sjelljen dhe zakonet e një individi; masat e marra për lustracionin duhet t’i përfundojnë efektet mundësisht brenda datës 31 dhjetor 1999, pasi sistemi i ri demokratik duhet të jetë konsoliduar deri në atë kohë në të gjitha vendet ish totalitariste komuniste.

Advertisement