Kandidati i të djathtës për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua me banorë të Laprakës dhe Njësisë 9, ndau me ta idetë e zhvillimit të qytetit e lagjeve të tyre si dhe theksoi mesazhin për rëndësinë e votës. Gjatë takimit, Kosova ka folur për parimet e tij të qeverisjes e administrimit.
“Ato që kam vënë re unë këto ditë kanë qenë: sa më të mëdhaja hallet tuaja aq më e madhe shpresa për fitore. Jam shumë i bindur që kemi shumë për të bërë. Nuk bëhen të gjitha në një ditë por do të fillojmë në datë 22 dhe nuk do ndalojmë asnjë ditë”, tha Kosova.
“Do fillojmë në çdo shtëpi të sjellim shpresën, të sjellim jetën, të fillojmë të ndërtojmë mirëqenien si të vetmin sekret, për të bërë më të mirën jo vetëm për lagjen tuaj por për gjithë Tiranën. Nuk ka rrugë tjetër përveçse në krye të Tiranës të ketë një menaxher, që vjen me provë në të mirë të qytetit, në të mirë të asaj që fondet që janë për ju, kurrë mos të abuzojnë por të vijnë aty ku është halli, aty ku janë nevojat, aty ku përmirësojnë diçka në qytetin tonë”, vijoi kandidati i djathtë, Halim Kosova.