Haki Çako, zyrtarisht në krye të Policisë së Shtetit

Haki Çako është emëruar zyrtarisht në postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Dy javë pas largimit të Artan Didit nga pozicioni i kryepolicit, Haki Çako ka marrë sot edhe dakordësinë e Kryeministrit për këtë pozicion, pas kërkesës së bërë nga Ministria e Brendshme.
Siç bëjnë me dije burime nga Policia e Shtetit, Çako i cili gjatë këtyre dy javëve ishte në krye të Policisë së Shtetit si i komanduar, tani ka marrë dhe miratimin e kreut të ekzekutivit dhe do të jetë ai personi që do të drejtojë këtë institucion kaq të rëndësishëm.
Çako njohu rritje të shpejtë në karrierë pas aksionit të Lazaratit, ku ai mbante drejtorin e Policisë Gjirokastër. Pas operacionit në Lazarat, Çako u emërua zv/Drejtor në Policinë e Shtetit për Krimet e Rënda.
Çako ka nisur karrierën e tij në janar të vitit 1998, si shef i Policisë Kriminale në Komisariatin e Policisë Kuçovë, e në shtator të të njëjtit vit si shef i Policisë Kriminale të Komisariatit nr. 1 në Tiranë. Më pas, është emëruar si inspektor kundër Akteve Terroriste. Në vitin 2003, ka mbajtur detyrën e specialistit në Zyrën e Luftës kundër Drogave të Forta, dhe më pas shef i Komisariatit të Policisë Vlorë.
Në vitin 2006 është emëruar specialist i Antiterrorit në Elbasan, për t’u larguar më pas me dëshirën e tij. Çako është rikthyer në vitin 2010 në Policinë e Shtetit dhe në 2013 ishte emëruar zëvendësdrejtor i Përgjithshëm për Krimin e Organizuar dhe Krimet e Rënda, detyrë që e ka mbajtur deri në 31 mars të 2014.

Advertisement