Lajmi konfirmohet zyrtarisht nga qeveria e Haitit e cila e ka rritur bilancin e të vdekurve nga tërmeti i 12 janarit në 230 mijë nga shifrat paraprake të cilat ishin 212 mijë. Megjithatë, qeveria e Haitit tërheq vërejtjen se shifrat e fundit nuk janë përfundimtare dhe nuk i përfshijnë njerëzit që janë varrosur në varreza private apo nga familjarët e tyre. Kjo do të thotë se numri i viktimave mund të jetë edhe më i m adh se kaq, duke folur për një bilanc të frikshëm dhe tronditës të pasojave që shkaktoi tërmeti i një muaji më parë në ishullin e varfër të Karaibeve. Ky i fundit, për nga pasojat e tij, krahasohet me bilancin e shkaktuar nga cunami në Azi në vitin 2004.