Lajmin e ka bërë të ditur shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton, e cila ka deklaruar se vendimi për këtë mision u mor pas konsultimeve me kryeministrin haitjan dhe OKB-në. Misioni në fjalë është një angazhim i ri i BE që i shtohet misionit policor në të cilin merr pjesë trupa e xhandarmërisë evropiane. Ndërkohë ministria haitiane e Komunikacionit Marie-Laurence Jocelyn ka njoftuar se numri i viktimave ka shkuar në 230 mijë. Qeveria fillimisht kishte deklaruar se bëhej fjalë për 150 mijë të vdekur, por pothuajse një muaj nga tragjedia, bilanci është rritur ndjeshëm. Nuk flitet ende për një bilanc përfundimtar, pasi nuk përfshihen personat që janë varrosur nga familjet e tyre nëpërmjet agjencive private.