Gruaja që akuzoi reperin Jay-Z për sulm seksual tërheq gjithçka në gjykatë: Asgjë nuk është e vërtetë.

Saturday, September 26, 2026

Gruaja që dy vite më parë paditi reperin Jay-Z, me akuzën për sulm seksual, ka tërhequr tërësisht pretendimet e saj ndaj tij. Në një deklaratë të re të dorëzuar në gjykatë, ajo ka thënë se akuzat nuk ishin të vërteta dhe se reperin nuk e kishte takuar kurrë.

Ajo ka deklaruar gjithashtu se, përpara se emri i reperit të përfshihej në padinë e dhjetorit të vitit 2024, u kishte thënë avokatëve të saj se kishte disa “vështirësi psikologjike”, raporton Rolling Stone.

“Shawn ‘Jay-Z’ Carter nuk më ka përdhunuar kurrë. Nuk e kam takuar kurrë zotin Carter dhe nuk kam folur me të. Zoti Carter nuk është sjellë kurrë në mënyrë të papërshtatshme ndaj meje”, ka shkruar gruaja në një deklaratë prej 11 faqesh, të dorëzuar në Gjykatën Federale në Manhattan dhe të siguruar nga Rolling Stone.

“Asgjë nga ato për të cilat e kam akuzuar zotin Carter nuk është e vërtetë”, ka shtuar ajo, duke e dhënë deklaratën nën betim dhe nën paralajmërimin për pasojat e dëshmisë së rreme.

“E kuptoj se akuzat e mia të rreme i kanë shkaktuar zotit Carter dhimbje, vuajtje dhe dëme të mëdha, të cilat nuk mund të korrigjohen kurrë plotësisht”, ka deklaruar ajo.

Deklarata iu dorëzua gjykatës të enjten, së bashku me njoftimin se Carter po tërhiqte vullnetarisht padinë e tij ndaj gruas. Megjithatë, ajo vazhdon të ndjekë një proces gjyqësor ndaj avokatit Tony Buzbee dhe firmës së tij ligjore në Teksas, duke i akuzuar për nisje të qëllimshme të një procesi gjyqësor.

Gruaja ka theksuar se për deklaratën e re nuk i është premtuar dhe nuk ka marrë asnjë pagesë.

Avokati i ri: Ajo gaboi kur akuzoi Carter

“Klientja jonë vazhdon të pretendojë se ka qenë viktimë e një sulmi seksual, por ka gabuar plotësisht kur ka identifikuar zotin Carter si autorin dhe këto akuza kanë qenë të rreme”, ka deklaruar avokati i saj i ri, James Blair Newman Jr.

“Zoti Carter nuk e ka përdhunuar, nuk e ka sulmuar seksualisht dhe nuk është sjellë në asnjë mënyrë të papërshtatshme ndaj saj. Ajo nuk e ka takuar kurrë. Ajo i kërkon sinqerisht dhe pa kushte falje zotit Carter dhe familjes së tij”, ka shtuar ai.

Deklarata e re vjen më shumë se një vit pasi Jay-Z paditi gruan dhe avokatët e saj. Reperi kishte pretenduar se ata kishin tentuar ta detyronin të pranonte një marrëveshje të fshehtë financiare, duke e kërcënuar me dëme të mëdha ndaj reputacionit të tij.

Padia e reperit ishte kundërpërgjigje ndaj një procesi të nisur nga e njëjta grua në tetor të vitit 2024. Në atë kohë, ajo akuzoi Sean “Diddy” Combs se e kishte përdhunuar kur ajo ishte 13 vjeçe, ndërsa pretendonte se në ngjarje kishte marrë pjesë edhe një “personazh i famshëm mashkull”, të cilin fillimisht nuk e kishte identifikuar.

Jay-Z ka pretenduar se në nëntor të vitit 2024 Buzbee i kishte dërguar një letër ku kërkonte një marrëveshje. Pasi Carter refuzoi të paguante, në dhjetor padia u ndryshua dhe emri i Jay-Z u përfshi si i dyshuari i dytë.

Jay-Z: U ndjeva sikur më mbanin armën në kokë

Reperi i kishte mohuar me vendosmëri akuzat sapo ato u bënë publike. Ai kishte bërë të ditur gjithashtu se në nëntor të vitit 2024, në një gjykatë në Kaliforni, kishte paditur në mënyrë anonime Buzbee-n, duke e akuzuar për shantazh.

Në një deklaratë nën betim, Jay-Z kishte thënë se letrën e avokatit e kishte përjetuar si një “kërcënim ekzistencial”.

RELATED ARTICLES
Advertisement
DIGICOM