Greqi – Papandreu fton homologun turk Erdogan për vizitë në Athinë

Në përgjigje të letrës së Erdogan nëntorin e vitit të kaluar, Papandreu, i cituar sot nga shtypi grek, i ka shkruar duke i kujtuar rolin e tij personal në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale dhe e siguron Ankaranë për anëtarësimin në BE nëse do të plotësohen kriteret. Papandreu thekson se, pas një seri “progresi konkret, në sektorë të ndryshëm, tashmë ka ardhur momenti për t’i dhënë një impuls të ri marrëdhënieve bilaterale, duke zgjidhur sfidat e tjera. Nga Egjeu, ku e fton Ankaranë të kontribuojë për t’i dhënë fund tensionit ushtarak, deri te Qipro, ku është e nevojshme që të gjithë të mbështesin përpjekjet e ribashkimit”. Ndër të tjera, kryeministri grek përmend edhe problemin e emigracionit ilegal, që sipas tij “duhet zgjidhur në kornizën evropiane, por edhe duke respektuar marrëveshjet bilaterale ndërmjet dy vendeve”.

Advertisement