Greqi – Nga 1 korriku ndalohet duhani në ambjente publike

Gjobat që do të vihen shkojnë deri në 20000 euro dhe deri në heqjen e lejes së restoranteve dhe bareve të mëdha për shkelësit e ligjit. Megjithatë, ky ligj parashikon edhe disa përjashtime për disa qëndra argëtimi apo bare të vogla. Ndërkohë Ministria e Shëndetësisë e cila është nismëtarja e kësaj fushate duket e vendosur të mos bëjë asnjë lëshim. “Duhet ta kuptojnë të gjithë se prej 1 korrikut Greqia fik cigaren. Dhe e fik pa bërë asnjë lëshim”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë, Dimitris Avramopoulos. Statistikat që publikon Ministria e Shëndetësisë, me qëllim sensibilizimin e opinionit publik janë tragjike. Sipas tyre, në gjithë botën 1.2 miliardë persona janë pirës duhani, ndërsa nga cigarja të paktën 3.5 milionë banorë humbin jetën cdo vit. Vetëm në Greqi shënohen mbi 20000 vdekje në vit për shkak të duhanit ndërsa mbi 700 vdekje në vit shënohen tek ata persona të cilët punojnë në ambientet me tym duhani, pavarësisht se nuk e pijnë. Greqia zë dhe vëndin e parë në botë sa i përket përqindjes së grave duhanpirëse, duke tejkaluar shifrën prej 32%. Pas miratimit të ligjit të ri në Parlament, ka filluar informimi i qytetarëve me spote televizive dhe informacione shkencore për dëmet që shkakton pirja e duhanit dhe avantazhet për ata që do të mund të heqin këtë ves.

Advertisement